Shqipëria

Kosovë-Shqipëri, dyshja me më pak raste të reja të COVID në rajon


Muaji i fundit ka qenë veçanërisht i vështirë për situatën me COVID-19 në gjithë botën, por më veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku shifrat kanë qenë përtej normales edhe për pikun e pandemisë, dimrin e vitit 2020.

Gjithsesi, pas një fluksi shumë të lartë të rasteve të reja, shifrat kanë filluar të ulen, përkatësisht në javën e fundit dhe Kosova e Shqipëria, janë dy vendet që po e përballojnë më mirë shpeshtimin e rasteve, më së shumti me variantin e ri Delta.

Kosova posaçërisht, ka parë një ulje shumë të madhe të shifrave. Gjatë shtatë ditëve të fundit, mesatarja ditore e rasteve të reja aty, është në 16 për 1 milion banorë. Kjo shifër është dhjetë herë më e ulët se sa Shqipëria, vendi i dytë me më pak raste në rajon.

Përkatësisht, 164 raste të reja për 1 milion banorë, regjistrohen në Shqipëri çdo ditë.

Të dhënat e revistës shkencore Our World in Data, tregojnë pikërisht faktin se dy vendet shqipfolëse, janë duke e përballuar më mirë se fqinjët pandeminë.

Në vend të tretë, renditet Maqedonia e Veriut, me thuajse 189 raste të reja ditore për milion banorë. Më pas vjen Bosnjë dhe Hercegovina, me 199 raste për milion banorë.

Shifra shumë të larta dhe mbi 600 raste të reja për milion banorë, kanë Mali i Zi dhe Serbia. Serbët renditen të fundit në rajon me 924 të tillë. Një situatë aspak e mirë pandemike për Beogradin. Aty është raportuar së fundmi edhe një mungesë dëshire e popullsisë për t’iu nënshtruar vaksinimit.

Mali i Zi është diçka më mirë se serbët, por sërish rastet e reja ditore shkojnë në 602 për milion banorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore