Shëndet

Mamitë – gratë që asistojnë vazhdimësinë e jetës


Për t’i ndihmuar nënat gjatë lindjes, një punë të madhe e kryejnë mamitë.

Të mërkurën u shënua Dita Ndërkombëtare e Mamisë.

Me rastin e shënimit të pesë majit, Hava Gërguri mami në klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për Albanian Post ka treguar se këtë profesion e ushtron mbi katër dekada.

“Për shumë kohë punoj si mami, tashmë janë bërë 43 vjet. Kam kaluar sfida të ndryshme, kam hasur në shumë vështirësi por tani është më ndryshe sepse kushtet që na ofrohen janë më të mira se sa ato dikur”, është shprehur Gërguri.

Hava Gërguri, Mami në Klinikën Gjinekologjike në QKUK

Sipas saj, të jesh mami është “një mrekulli sepse t’i japësh përkrahje një nëne dhe një foshnje ende pa lindur është diçka shumë humane”.

Gjatë rrëfimit të saj, Gërguri ka theksuar se si në çdo profesion tjetër edhe mamitë ballafaqohen me sfida të mëdha.

“Rrugëtimi dhe ushtrimi i këtij profesioni është i vështirë. Secila lindje është ndryshe ashtu siç ndryshon çdo individ nga tjetri. Më parë ka ndodhur që kam ndihmuar lindjen e 12 pacienteve brenda ditës ndërsa tani marrë pjesë në asistimin e dy apo tre lindjeve”, shtoi ajo.

Në anën tjetër ajo ka thënë se pa marrë parasysh se në cilat probleme hasin rrugës, lumturia më e madhe e një mamie është kur pacientja e përqafon foshnjën e vet.

“Ajo çka më gëzon më së shumti është kur lindjet përfundojnë me sukses, kur foshnjën e marrim në duar shëndoshë dhe kur nëna është në gjendje të mirë shëndetësore, s’ka gëzim më të madh”.

Ndërkohë, sugjerimi i saj për të gjitha nënat e reja është që të jenë të informuara për procesin e para dhe pas lindjes sepse sipas saj “tani ka shumë shoqata që merren me këshillimin për gratë shtatzëna, mbajnë trajnime për shtatzëni, për procesin e gji dhënies dhe planifikimin familjar”.

Dita Botërore e Mamive, për herë të parë u festua në maj të vitit 1991.

Ideja për të nderuar mamitë ka dalë nga konferenca e Ndërkombëtare e Konfederatës së Mamive në Holandë në vitin 1987.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) përmes fushatave të ndryshme synon të kushtojë vëmendje të dukshme dhe autoritare mbi rolin thelbësor të infermierëve në kujdesin shëndetësor, duke ndihmuar në ngritjen e statusit të infermierëve në të gjithë botën.

Ndërsa sipas Fondit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), investimi dhe fuqizimi i mamive “është një nga mënyrat më të sigurta për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe mirëqenien e të gjithëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore