Kosova

Kosovë: Procedohet projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale


Ilustrim.

Është proceduar për në Qeveri, projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale dhe këtë e ka bërë të ditur, Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Përmes një postimi në llogarinë e saj të Facebook-ut, Haxhiu, është shprehur se ky hap që do të hidhet është në të mirë të investimeve nga të interesuarit vendor dhe ata ndërkombëtar.

“Në përputhje me zotime tona, sot e proceduam në Qeveri, projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale, si një mekanizëm i veçantë, i cili i hap rrugë investimeve nga bashkatdhetarët tanë dhe investimeve të huaja në Kosovë”, ka shkruar Albulena Haxhiu.

Haxhiu, ka thënë se është falënderuese për të gjithë të angazhuarit në këtë proces.

“Falënderoj gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, ditë më parë, Ministria e Drejtësisë, ka diskutuar lidhur me projektligjin dhe funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, ku edhe është folur për çështjen e dyshkallshmërisë së kësaj gjykate si dhe rolit të saj në shqyrtimin e lëndëve të natyrës komerciale të bizneseve dhe personave të tjerë juridikë në Kosovë.

Ndërsa, nuk kanë qenë të pakta as kërkesat e përfaqësueseve të bizneseve brenda territorit të Republikës së Kosovës, të cilët kanë avokuar vazhdimisht për një mekanizëm gjyqësor qe do të mundësonte zgjidhje të shpejtë të problemeve të bizneseve dhe investitorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore