Lajme

Kosovë/PDK: Emërimi i anëtarit të dytë në KQZ është fitore e kushtetutshmërisë


Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ćemailj Kurtiši nga koalicioni Vakat gjatë betimit para Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si anëtarë të KQZ-së

Emërimi i anëtarit të dytë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe pse i vonuar në mënyrë të paarsyeshme për rreth tre muaj nga Presidentja, Vjosa Osmani gjithsesi ishte rruga e vetme kushtetuese dhe ligjore.

Përgjatë kësaj periudhe sipas PDK-së, disa herë është theksuar se përpjekjet e Presidentes Osmani, për të interpretuar normat kushtetuese në mënyrë të anshme e në favor të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, ishin shkelje kushtetuese dhe të dëmshme për funksionimin e demokracisë.

Emërimi i anëtarit të dytë nga PDK, sipas këtij subjekti politik vjen vetëm pas kërkesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese dhe presionit publik të shoqërisë civile që argumentuan bindshëm për të drejtën.

PDK, konsideron se Presidentja duke e emëruar anëtarin e dytë jashtë afateve ligjore, ka rrezikuar seriozisht funksionimin normal të KQZ-së në këtë periudhë të zgjedhjeve lokale.

Për PDK-në, kjo nuk është vetëm një fitore juridike e radhës, por mbi të gjitha është fitore e kushtetutshmërisë përballë apetiteve të pushtetit sundues për të kapur dhe vënë nën kontroll edhe institucionet e pavarura kushtetuese.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të këtij viti kanë dalë katër grupe parlamentare që përfaqësojnë shumicën në Kuvend.

Këto grupe parlamentare në KQZ përfaqësohen me gjashtë anëtarë siç përcaktohet me Kushtetutë, ku dy grupet më të mëdha parlamentare, përfaqësohen me nga dy anëtarë.

Anëtari i dytë i PDK-së në KQZ i cili ka dhënë sot betimin para Presidentes, Vjosa Osmani, Ilir Gashi për Albanian Post ka thënë se subjekti i tij politik ka dërguar emrat në presidencë dhe se ishin në harmoni me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës, qysh në fillim kur ajo ka kërkuar emrat përkatësisht nominimet e kandidatëve për krijimin e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve si trupë, pas rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve nacionale.

“Ne duke u bazuar në Ligj dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kemi dërguar emrat”. Ai ka thënë se duke u bazuar edhe në praktikat e mëhershme duke u bazuar në gjendjen e njëjtë juridike dhe kushtetuese në të cilën gjendet përbërja e Parlamentit të Kosovës “PDK i ka dërguar dy emra në presidencë. Për ne ka qenë e habitshme se pse Presidentja në atë kohë nuk e kishte dekretua dy anëtarët e PDK-së”.

Presidentja asokohe kishte kërkuar këshillë nga Gjykata Kushtetuese për t’i interpretua pretendimet e subjektit më të madh politik të dal pas zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne kemi qenë edhe atëherë të bindur se ajo kërkesë për me u interpretua është kërkesë që nuk do të merr përgjigje, për faktin se një kërkesë e tillë e kemi pasur edhe ën vitin 2017, ku atëherë Presidenti e kishte çuar në kushtetuese, dhe Gjykata Kushtetuese nuk ishte përgjigj.”

Edhe në rastin konkret, gjykata i ka thënë presidentes se ju duhet ta bëni veprimin ku më pastaj ne marrim vendim në qoftë se dikush e ankimon veprimin e juaj se a keni vepruar drejt apo jo”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ilir Gashi nga PDK dhe Ćemailj Kurtiši nga koalicioni Vakat

Duke e parë këtë gjendje kushtetuese dhe juridike, presidentja mendoj që ajo sot ka marr sot një veprim të duhur  të cilin e kemi kërkuar të merret qysh para disa muajsh në mënyrë që të mos na vonoj qoftë në kompletimin e KQZ-së, por edhe të mos mohimit të drejtës tonë kushtetuese për t’i pas dy anëtar në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve”.

Ai ka thënë për Albanian Post se kompletimi i KQZ-së me anëtarë krijon kushte që Zgjedhjet Lokale përkatësisht vendimet që merr ky komision. Sepse ku nuk ka konsensus brenda komisionit, atëherë “hynë në funksion votimi ku pastaj mund të sjell në vështirësi të vendimmarrjes, ku mund të mos ketë kuorum, ku mund të mos ketë vendimmarrje të mbi 2/3-tave. Mos-kompletimi sjell vështirësi, sidomos në procesin zgjedhor… por sido që të jetë sa i përket Zgjedhjeve Lokale të tetorit, besoj se jemi brenda kohës”, ka thënë ai.

Kurse në një njoftim në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas analizimit të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërimin e dy anëtarëve të tjerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me kompetencat e saj, ka emëruar në këtë Komision, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ćemailj Kurtiši nga koalicioni Vakat”, thuhet në njoftim.

Kurse “para Presidentes, dy anëtarët e rinj të KQZ-së deklaruan se do t`i kryejnë detyrat e tyre si anëtarë të KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme dhe profesionale”, përfundon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore