Lajme

Kosovë: Një javë pushim në institucionet shkollore për shkak COVID-19


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj, pas takimit në Ministrinë e Arsimit mes përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të drejtorive komunale, si dhe të SBASHK-ut, ka thënë se është vendosur për një javë pushim pwr shkollat nw Kosovw, gjatë së cilës do të përcillet situata me COVID-19 në vend.

“Ishte takim konsultativ dhe të gjitha palët u pajtuan për atë që e ka thënë qeveria se nga 22 marsi për një javë të tërë do të ketë pushim klasik. Gjatë kësaj javë do ta përcjellim situatën”, ka thënë Jasharaj për Albanian Post.

Tutje ai tregoi se Ministrisë së Arsimit i duhet kjo javë pushim “për t’u mobilizuar dhe për të parë nëse gjendja rregullohet për t’u kthyer në institucione”.

“Nëse gjendja vazhdon të përkeqësohet atëherë javën e pushimit, MASHTI dhe institucionet tjera do ta përdorin për t’u përgatitur që të kalohet edhe në versionin C apo në mësimin online”.

Jasharaj, ka thënë se SBASHK-u do t’i respektojë vendimet e institucioneve të shëndetësisë lidhur me mbajtjen e mësimit online.

“Sa i përket propozimit të qeverisë për një kalim dy javor në mësimin online, SBASHK-u e ka deklaruar me kohë se i respekton vendimet e IKSHPK-së”, ka deklaruar Jasharaj.

Po ashtu, Jasharaj ka treguar se mësimi në shkolla është shumë më funksional dhe mësimi online “sidomos në Kosovë si shtet i varfër paraqet probleme, prandaj nevojitet angazhim shtesë”.

Jasharaj ka theksuar se parimi i tyre është kujdesi ndaj shëndetit të nxënësve e punëtorëve arsimorë dhe nëse instituti ka vërejtur se situata është përkeqësuar edhe në shkolla atëherë “SBASHK-u pajtohet me vendimin e institucioneve por do të insistojmë që afati të jetë sa më i shkurtër”.

“Ne do të pajtohemi me vendimin e tyre por duke insistuar që të dihet afati ngase edhe shtohet volumi i punës ngase edhe mësimdhënësit nuk janë shumë të pajisur me teknologjinë bashkëkohore”, ka treguar ai.

“Një pjesë e nxënësve, pa fajin e tyre mund të jenë të privuar nga e drejta që ta përcjellin mësimin online”.

“Mënyra më e mirë do të ishte që të vazhdojmë procesin mësimor nëpër shkolla, sepse është proces shumë më efektiv. Uroj që mësimi online të jetë sa më afatshkurtër dhe të krijohen kushtet optimale”, përfundoi Jasharaj.

Lidhur me këtë, pak orë më parë, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka paralajmëruar se ekziston mundësia që mësimi të vazhdojë në mënyrë online.

“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së , IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, ka shkuar Hoti.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës ka dalur me statistika në njëvjetorin e nisjes së vitit akademik virtual, i cili u zhvillua si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Në këto statistika bëhet e ditur se gjatë vitit të mësimit akademik, në Universitetin e Prishtinës, janë mbajtur rreth 235 mijë e 571 ligjërata virtuale.

Rektori Naser Sahiti ka përgëzuar tërë stafin dhe studentët për angazhimin e treguar në këtë kohë pandemie.

“Përveç në mësim, ata ishin të gatshëm edhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme jashtë kurrikulare në mënyrë virtuale”, ka thënë rektori Sahiti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore