Kosova

Kosovë: Nga mosha 13 deri 18 vjeç, raste të varësisë nga droga – viti 2021 shënon rritje të përdorimit


Marihuana e kokaina janë dy substanca narkotike që kanë shënuar rritje të përdorimit tek të rinjtë këtë vit.

Mosha e përdoruesve të substancave narkotike është shqetësuese, sipas institucioneve të Kosovës.

Doktoresha e Klinikës së Psikiatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Vjollca Ramiqi, në një përgjigje për Albanian Post ka treguar se gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në këtë klinikë, konkretisht në repartin e Sëmundjeve të Varësisë, janë bërë 89 hospitalizime, 21 me substanca të ndryshme psiko aktive dhe 18 me opiodie (heroinë) dhe 14 me alkool.

Sipas, Ramiqit, numri më i madh i kërkesave ka qenë në mënyrë ambulatore ku për shkak të mungesës së regjistrimit elektronik nuk kanë statistika për këtë.

Doktoresha e Klinikës së Psikiatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare (QKUK), Vjollca Ramiqi

“Mosha më e prekur adulteri e hershme (18 vjeç), ndërsa në ambulancë specialistike mosha adoleshente 13 vjeç. Pasi në repartin e Sëmundjeve të Varësisë hospitalizohen vetëm rastet që vijnë me motivim personal për t’u trajtuar, arsyeja më shumicën e rasteve janë dëmtimi i funksioneve kognitive, me çrregullim të funksionimit të psiko-fiziko-social”.

“Trajtimi bëhet sipas protokollit të Klinikës së Psikiatrisë për detoksikim”, ka thënë Ramiqi.

Ajo ka treguar se tri ditë e para detoksikimi bëhet vetëm me terapi rehidruese dhe terapi simpyomatike, e i gjithë trajtimi zgjatë 15 ditë. Ndërsa, në vitin 2020 kanë qenë 64 hospitalizime për shkak të masave COVID-19, i kufizuar.

Ndërkaq, udhëheqësi i qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, Safet Blakaj, për Albanian Post, ka deklaruar se në Kosovë në këto tri vite të fundit ka rritje të përdorimit të drogave, e sidomos te fëmijët.

“Kryesisht kanabisi ose marihuana në të gjithë territorin e Kosovës, për më keq edhe tipi i llojit të drogës kokainë që ka një rritje shumë të shpejtë të përdorimit dhe ka filluar tek të rinjtë dhe deri tek fëmijët”, ka thënë Blakaj.

Udhëheqësi i qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”,

Ai ka treguar se përdorimi i substancës kokainë është rritur në muajt e fundit.

“Ka qenë mosha mesatare e përdorimit të kokainës, ka qenë dukshëm e madhe, ndërsa, këtë vit kemi vërejtur, që rastet e fundit, dhe në muajt e fundit janë kryesisht të moshës, 18 vjeçare deri në 23 vjeç, dhe kjo po na shqetëson shumë”.

Tipi i drogës kanabis ka shtrije gjithandej dhe në të gjitha qytetet, ka thënë Blakaj, por edhe në pjesët rurale.

Sipas Blakaj, sa i përket kokainës natyrisht është e koncentruar shumë në kryeqytet në Prishtinë, ka përdorim të gjerë në këto dy vite të fundit, dhe po ashtu edhe në të tjerat qytete.

“Por në qytetet e mëdha dukshëm po vërehet, përdorimi edhe i drogave që ne e quajmë drogëra toksike ku hyjnë ekstazi, dhe po ashtu ka filluar të përdorët edhe Amfetaminat që quhet spid”.

Ndërsa ka kritikuar institucionet e Kosovës se nuk kanë realizuar asnjë planë parandalues për përhapjen e këtyre dukurive.

“Kemi shumë problem në Kosovë me programet parandaluese, dhe nuk ekzistojnë programet parandaluese të përdorimit të drogërave në nivel nacional ose kombëtar dhe të vetdisohemi dhe na duhet një program i përgjithshëm që përfshinë gjithë territorin dhe që është afat gjatë”, tha tutje Blakaj.

Ai ka thënë se jo vetëm Ministrisë së Arsimit i takon që të angazhohet në këtë proces por edhe Ministria e Shëndetësisë, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit por edhe institucioneve lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore