Lajme

Kosovë: Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku takon Ambasadorin Kosnett


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

LDK-ja përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar rreth politikës aktuale dhe zgjedhjeve brenda këtij subjekti politik.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi Ambasadorin Kosnett rreth zgjedhjeve demokratike të LDK-së dhe qëndrimeve karshi situatës aktuale politike në Kosovë. Po ashtu Abdixhiku e njoftoi Ambasadorin edhe për rolin konstruktiv që do ta ketë LDK-ja në opozitë”, shkruhet në njoftim.

Në këtë takim, Abdixhiku ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe nga nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.

Pak ditë më parë, Ambasadori Kosnett, pas takimit të tij me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ka shkruar në Twitter se SHBA-ja “do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të ketë sukses dhe të sigurojë vendin si partnere e barabartë në Evropë dhe komunitet ndërkombëtar”.

Ai ka shtuar se diskutimet ishin të përqendruara në investimet në energji.

“Diskutimet ishin të fokusuara në investimet në energji dhe diversifikim, duke përfshirë opsione të qëndrueshme dhe rinovueshme që do ta shtyjnë rritjen e ardhshme ekonomike të Kosovës”, ka shkruar Kosnett.

Ndërsa Lumir Abdixhiku, më 14 mars u zgjodh kryetar i ri i LDK-së, me gjithsejtë 190 vota.

Në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021, Abdixhiku ka arritur të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore