Lajme

Kosnett pas takimit me Kurtin: SHBA mbetet e përkushtuar ta ndihmojë qeverinë e ardhshme


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, Philip Kosnett, është takuar me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Kosnett, pas takimit me Kurtin ka shkruar në Twitter se  SHBA-ja është e përkushtuar që ta ndihmojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës që të ketë sukses dhe të sigurojë vendin si partnere e barabartë në Evropë dhe komunitet ndërkombëtar.

“Kam takuar Albin Kurtin dhe ekipin e tij, si pjesë e një serie të diskutimeve mbi përparësitë e përbashkëta SHBA – Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ndihmuar Qeverinë e ardhshme që të ketë sukses dhe të sigurojë vendin e saj si një partnere e barabartë në Evropë dhe brenda bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar Kosnett.

Ai ka shtuar se diskutimet sot kanë qenë të fokusuar në investimet në energji. “Diskutimet sot ishin të fokusuara në investimet në energji dhe diversifikim, duke përfshirë opsione të qëndrueshme dhe rinovueshme që do ta shtyjnë rritjen e ardhshme ekonomike të Kosovës”, ka shkruar Kosnett.

Votimi i qeverisë “Kurti 2” nuk besohet se do të ketë ndonjë problem të votohet në parlament, meqë Kurti tashmë ka siguruar votat për formimin e Qeverisë.

Seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 22 mars. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit me 50.28 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore