Kosova

Kosovë: Kryeinfermieri tash e 7 ditë në grevë urie, nga sot fillon edhe grevën e etjes


Kryeinfermieri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Durku

“Grevën nuk do ta ndali në asnjë mënyrë, deri në realizimin e kërkesave. Nga sot përveç grevës urie do të vazhdojë edhe grevën e etjes, që do të thotë as lëngje nuk do të konsumoj”.

Kështu ka thënë për Albanian Post, kryeinfermieri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Durku, i cili tash e shtatë ditë ka hyrë në grevë urie për shkak të pakënaqësive të pagës.

Ai ka kohë që po kërkon që pagesa e ndërrimit të natës për infermierët të rritet nga 18 euro në 36, në mënyrë që të paguhet puna gjatë vikendit dhe orët shtesë.

Nga pozita e infermierit thotë se është e vështirë të vlerësohet se sa mund të jetojë dikush pa ushqim dhe lëngje, sepse çdo organizëm është i ndryshëm.

“Marrja e lëngjeve ka efektin më të madh në mbijetesë. Trupat tanë kanë tendencë që të shfrytëzojnë rezervat e energjisë nga deponimet e ushqimit në organizëm për dy apo tre javë, por mungesa e lëngjeve shkakton probleme me funksionimin e veshkave brenda pak ditësh”, tha kryeinfermieri Duraku.

Sipas tij, kur dikush nuk merr lëngje mjaftueshëm dhe nëse ai person është i hospitalizuar atëherë sipas Durakut “ky person mund të jetojë pak ditë ose më së shumti dy javë”.

Gjendja shëndetësore e infermierit nuk është e mirë. Ai thotë se ka menduar që në grevën e dytë do të e ketë më të lehtë, mirëpo sipas tij ndodhi e kundërta.

“Plogështi dhe dhimbje të pa përshkruara në disa raste edhe me dezorientime në kohë dhe hapësirë”, tha Duraku.

Edhe pse ai u ka bërë thirrje të gjithë kolegëve të tij që t’i bashkohen në këtë grevë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sipas tij, një ndër arsyet pse nuk i janë bashkangjitur infermierët e tjerë në grevë urie, është se mbi 90 për qind e tyre kanë obligime bankare e që e bënë të vështirë bashkëngjitjen.

“Në përgjithësi, nënshtrimi dhe heshtja e infermierëve ndodhë përmes kontrollit financiar”, sqaroi ai.

Në anën tjetër, ai ka deklaruar se përveç kësaj, arsyet e tjera lidhen me “presionin, shantazhin dhe frikësimin e tyre me penalizëm si komisione disiplinore apo edhe suspendime”.

Duraku thotë se përveç rritjes së pagesës ai kërkon edhe njohje të punës, angazhimit, kontributit dhe sakrificës së infermierëve, “sidomos gjatë pandemisë, kur e dimë që në mesin e infermierëve ka prej atyre që humbën jetën në betejën anti-COVID”.

Para dy dite, kryeinfermieri Enlirat Duraku, kishte qëndruar në Qendrën Emergjente deri në orën 05:00 të mëngjesit, shkaku i përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore