Përballje

Kosova nis rrugëtimin drejt EURO 2024


Sot (e shtunë), Kosova do të nis rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian 2024.

Në ora 18:00, dardanët do të luajnë ndeshjen e parë të Kualifikimeve të Kampionatit Evropian, ku do përballen me Izraelin në stadiumin Bloomfield, në Tel-Aviv.

Këto dy kombëtare radhiten në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Pavarësisht kombëtareve mjaft të forta, kjo mund të jetë mundësia më e mirë që Kosova të kualifikohet në Euro 2024.

Kjo do jetë përballja e parë mes Kosovës dhe Izraelit, e cila do jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy përfaqësueset, pasi një fitore eventuale në këtë duel, mund të jetë një hap shumë i madh drejt kualifikimeve të evropianit.

Të dy skuadrat kanë pasur një formë të ngjashme në pesë ndeshjet e fundit, ku Kosova ka një fitore, dy barazime dhe dy humbje, ndërsa Izraeli ka dy fitore, dy humbje dhe një barazim.

Kujtojmë se mungesa e vetme e Kosovës në këto kualifikime është Elbasan Rashani, i cili është i lënduar, por këtë mungesë pritet ta mbulojnë bashkëlojtarët e tij.

Para pesë ditësh, trajneri i Kosovës, Alan Giresse kishte folur rreth grupit, i cili kishte thënë se grupi i Kualifikimeve për Kampionatin Evropian i motivon skuadrën.

“Përgjithësisht ndodhemi në një grup, i cili nuk është shumë i vështirë, por në të njëjtën kohë janë ekipe që nuk duhet nënçmuar. Por, ky grup na jep ambicie për të shkuar në Evropian. Pra, nuk po them që është grup i lehtë por ka mundur të jetë shumë më i vështirë. Qëllimi është ta kemi një ambicie të madhe dhe ta instalojmë atë te grupi i lojtarëve dhe të jemi të vetëdijshëm për mundësinë që e kemi përpara”, ka theksuar Giresse.

Ai më tej kishte folur edhe për Izraelin, i cili kishte thënë se janë ekip i mirë, por nuk do të tregojë taktikat për ndeshjen kundër tyre.

“Është një ekip shumë i mirë sa i përket anës teknike. Është ekip që luan futboll të bukur dhe gjithmonë tenton të ndërtojë diçka nga fillimi. Pra, nuk luan me topa të gjatë. Është  ekip me lojtarë që pak a shumë  kanë vlerën e njëjtë. Ka disa karakteristika të caktuara, por nuk do të flasë për to sepse nuk dua që ata ta dinë për çka po flasim ne. Janë detaje që i kemi analizuar dhe nuk dua që t’u tregojë izraelitëve pikat e tyre të dobëta. Sidoqoftë, mund të them se ka lojtar shumë të rrezikshëm siç është lojtari i Fulhamit, Manor Solomon”, ka përfunduar Giresse.

Kosova ishin shumë afër kualifikimit në EURO 2020, pasi kryesuan në Ligën e Kombeve, por u mposhtën në gjysmëfinale me epërsi minimale nga Maqedonia e Veriut.

Siç dihet, dy vendet e para shkojnë direkt në Evropian dhe duke parë shtetet që janë në grup, mund të parashihet që për një vend që dërgon në EURO do luftojnë Romania, Izraeli dhe Kosova, përderisa Zvicra llogaritet favorit për njërin nga dy vendet e para, kurse Bjellorusia dhe Andorra duken të pafuqishme në këtë grup të fortë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore