Përballje

Kosova gjen rrugën e fitores, mposht Gjeorgjinë


Kosova ka gjetur tri pikët e para në grup, pikërisht në vendin ku nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur.

Dardanët mposhtën Gjeorgjinë me rezultat minimal 0:1, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Në stadiumin “Bakum Arena”, të besuarit e Bernard Challandes, kaluan në epërsi në minutën e 18-të, nga një autogol i Davit Khocholava, i cili dërgoi topin gabimisht në rrjetë, pas një harkimi nga Valon Berisha dhe një prekje të lehtë të topit nga Vedat Muriqi.

Pas golit të shënuar, ekipi i Kosovës arriti të administrojë lojën dhe pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të tyre.

Pak momente pasi filloi pjesa e dytë, Lirim Kastrati pati dy mundësi të arta për të dyfishuar epërsinë e Kosovës, por në të dyja rastet dështoi përballë portierit gjeorgjian.

Në minutën e 85-të, Kosova arriti të dyfishojë epërsinë, por goli u anulua nga sistemi VAR, për shkak të një pozicioni jashtë loje.

Të kaltrit arritën të mbrojnë rezultatin deri në fund të ndeshjes, duke arkëtuar tri pikët e para në grup.

Me këto pikë Kosova pozicionohet e treta në grup, me tri pikë të grumbulluara, derisa Spanja dhe Suedia renditen para, me shtatë pikë respektivisht gjashtë.

Pas kësaj ndeshje, Dardanët do t’i zhvillojnë edhe dy ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Të dielën do të presin Greqinë, pastaj tre ditë më vonë edhe Spanjën.

Në këto dy ndeshje do të jenë në dispozicion edhe Milot Rashica e Bersant Celina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore