Lajme

Kosova e Turqia synojnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit


Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrin e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, Mahmut Özer

Kosova dhe Turqi synojnë që bashkëpunimi në fushën e arsimit të konkretizohet edhe më shumë kur të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.

Marrëveshja synon të përfshijë fushën e teknologjisë së informacionit, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, arsimit të lartë, si dhe programet e shkëmbimit të studentëve e profesorëve.

Kjo ishte temë e diskutimit mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Ministrin e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, Mahmut Özer.

Kurti ka thënë se objektivi i Qeverisë është ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, me synimin për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni.

Kryeministri ka potencuar zotimin e Qeverisë për “mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirëse në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, drejt zvogëlimit të hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftim të zyrës së kryeministrit.

Ndërsa, ministri turk i arsimit, Özer ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për arsimin në Kosovë në çfarëdo forme të nevojshme.

Kosova ishte destinacioni i parë jashtë vendit i ministrit turk të arsimit, andaj ai është shpreh i lumtur me stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë, si dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, që përfshinë edhe komunitetin turk.

Kryeministri Kurti ka falënderuar Turqinë për përkrahjen e dhënë për Kosovën, posaçërisht për mbështetjen në projekte të arsimit, si burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore