Lajme

Kosova e interesuar t’i thellojë raportet me shtete arabe, thotë Ahmeti


Kreshnik Ahmeti dhe Liburn Aliu

“Kosova është e interesuar të zgjerojë dhe të thellojë më tutje marrëdhëniet e shkëlqyeshme me vendet arabe”.

Kështu të paktën thotë Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, në konferencën e organizuar nga Akademia Diplomatike e MPJD-së dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis.

MPJD, sipas Ahmetit, është zotuar që do të përkrahë dhe ndihmojë secilin projekt apo bashkëpunim që krijohet mes shteteve arabe dhe Kosovës në fusha të ndryshme.

“Kam kuptuar edhe nga përbërja e delegacionit të Unionit Arab se ka jashtëzakonisht shumë mundësi të lidhjes së kontakteve afatgjate dhe të cilat mund të jenë produktive në të ardhmen e vendit tonë dhe Unionit Arab. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme më vendet arabe dhe jemi të interesuar ti thellojmë dhe zgjerojmë ato edhe me tutje. Zotohem se nga Ministria jonë do ta keni ndihmën dhe mbështetjen e plotë”, është shprehur Ahmeti.

Ndërsa ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që në fushën e mjedisit të vendosë mekanizma të qartë, duke e trajtuar me prioritet çështjen e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Unionit Arab për Zhvillim dhe Mjedis, z. Ashraf Abdel Aziz, ka thënë se ndryshimet klimatike janë të rëndësishme për të gjitha shtetet dhe duhen trajtuar me prioritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore