Lajme

Kosova dhe Serbia do të mbeten pa fonde nga ‘Plani i Rritjes’ nëse nuk përparojnë në dialog


Bashkimi Evropian

Kosova dhe Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Evropian të parapara në “Planin e Rritjes” i cili është prezantuar më 8 nëntor, nëse nuk do të ecin përpara në procesin e dialogut duke implementuar marrëveshjet.

Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkojnë si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale.

Megjithatë Komisioni Evropian ka paraparë kritere shtesë ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo shkon përmes përmbushjes së obligimeve nga dialogu, si dhe respektimit të obligimeve në nismat rajonale”, ka thënë një zyrtar i BE-së, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas këtij zyrtari të BE-së, kjo praktikisht do të thotë se “asnjë nga këto vende nuk do të jetë në gjendje të përdorë burimet financiare nëse nuk përparojnë në normalizim”.

Ndërsa shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të mund të përfitojnë nga këto burime financiare duke respektuar mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, sundimin e ligjit dhe garantimin e respektimit të të gjitha detyrimeve për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e anëtarëve të pakicave.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se ”është e logjikshme që të insistojmë në bashkëpunim maksimal mes vendeve të rajonit nëse qëllimi është që përmes tregut të përbashkët rajonal, ato t’i sjellim në tregun unik të BE-së”.

Ata kanë tërhequr vërejtjen se kjo ndihmë gjithashtu do të ketë disa kushtëzime, që kryesisht lidhen me përshtatjen e kornizës ligjore të BE-së dhe sundimin e ligjit.

Përveç ofertës së asistencës financiare, përfitimi nga ky plan do të jetë edhe në formën e hapjes së mundësisë që vendet e rajonit të kenë qasje në tregun unik të BE-së, edhe para se të mund të bëhen anëtare të bllokut. Për këtë duhet t’i përshtatin disa ligje, kurse në disa fusha duhet të bëhen edhe ndryshime në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit që vendet e rajonit i kanë me Bashkimin Evropian.

Realizimi i qëllimeve të këtij plani do të shkojë paralelisht edhe me Procesin e Berlinit dhe zbatimin e marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal.

Komisioni Evropian beson se konvergjenca ekonomike është element thelbësor për t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian.

Plan i ri për rritje në Ballkanin Perëndimor është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore