Lajme

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor


Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor, nënshkruhet marrëveshja mbështetëse mes ministrive dhe ambasadës franceze

Ministria e Kulturës në Kosovë, ka njoftuar se Kosova dhe Franca kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke nënshkruar deklaratën për shprehje të interesit “që synon krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe territoriale mes dy vendeve”.

Zotimi është nënshkruar nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, dhe Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

“Me këtë marrëveshje pala kosovare dhe ajo franceze kanë shprehur interesin për të  mbështetur projekte dhe organizime të ndryshme mes Kosovës e Francës, me mjete konvencionale, financiare dhe njerëzore, brenda një kalendari 2022 – 2024. Projektet i përkasin fushës së kulturës, diplomacisë kulturore dhe arsimit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, “paraqitja në Festivalin e Kanës, në festivalin në Avingon dhe partneriteti me La Manufucture janë vetëm disa nga projektet që synohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Francës madje edhe në bashkëprodhim të filmave”.

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor, nënshkruhet marrëveshja mbështetëse mes ministrive dhe ambasadës franceze

“Një pikë e rëndësishme është mbështetja e industrisë kreative evropiane dhe territoriale, në veçanti nga Ambasada e Francës në Kosovë, dhe Ambasada e Kosovës në Francë, për të mirën e projekteve të para të bashkëpunimit (Horizon Europe / ENFORCE, Creative Europe / Les Jardins de la Paix , Reflektimet e para territoriale (në Hauts-de-France), në dobi të bashkëpunimit dhe ‘binjakëzimit’”.

Deklarata e shprehjes së interesit, parasheh mobilizimin e akterëve kulturorë, edukativ dhe universitarë si dhe profesionistëve të Kosovës e të Francës për të vendosur marrëdhënie të qëndrueshme strategjike dhe territoriale.

“Bashkëpunimi i ngushtë në fushat e trashëgimisë dhe kulturës, me theks në arkeologji dhe në artin bashkëkohorë janë ndër temat e deklaratës, si dhe angazhimi për realizimin të projekteve si Manifesta 14 dhe programi i BE-së, Creative Europe”, vijon njoftimi.

Po ashtu, në njoftim theksohet se kjo deklaratë parasheh përgatitjet për Lojërat Olimpike Paris 2024, gjithashtu evoluimin e statusit të Kosovës pranë Organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore