Lajme

Koreja e Veriut: Mbi 2 milionë raste të reja me COVID-19 në mes të shqetësimit global për planin pandemik të regjimit


Stafi dezinfekton stacionin e trenit në Pyongyang gjatë fushatës së Koresë së Veriut kundër COVID. ©:KCNA/EPA

Ekspertët kanë vënë në pikëpyetje pretendimin e Koresë së Veriut se ajo po arrin “rezultate të mira” në betejën e saj kundër një shpërthimi të COVID-19, pasi numri i njerëzve me simptoma të virusit tejkaloi 2 milionë.

Regjimi raportoi 263 mijë e 370 raste të reja me ethe të premten dhe dy vdekje, duke e çuar numrin total të rasteve në 2.4 milionë, përfshirë 65 vdekje. Kjo u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Kjo e fundit nuk raportoi se sa prej atyre rasteve kishin rezultuar pozitivë me COVID, por tha se vendi po shihte “rezultate të mira” në betejën e tij kundër virusit.

Rritja e numrit të rasteve dhe mungesa e burimeve mjekësore dhe vaksinave ka bërë që agjencia e të drejtave të njeriut të OKB-së të paralajmërojë për pasoja “shkatërruese” për 25 milionë banorët e Koresë së Veriut dhe zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë shqetësohen se një përhapje e pakontrolluar mund të shkaktojë variante të reja më vdekjeprurëse.

Rastet e etheve të raportuara nga qeveria kishin rezultuar në kryeqytetin Pyongyang, por u rritën në provincat rurale.

Shifrat nuk kishin gjasa të ishin plotësisht të sakta, qoftë për shkak të gabimit apo manipulimit të qëllimshëm, tha Martyn Williams, një studiues në vëzhguesin me bazë në SHBA.

Disa vëzhgues të Koresë së Veriut besojnë se regjimi u detyrua të pranonte shpërthimin e COVID-19 javën e kaluar, sepse përpjekja për të fshehur përhapjen e virusit do të kishte qenë e kotë dhe mund të kishte nxitur pakënaqësinë publike me liderin e vendit, Kim Jong-un.

Në vend të kësaj, ata besojnë se autoritetet e Koresë së Veriut po raportojnë më pak vdekje për të provuar se përgjigja e tyre ka qenë efektive.

Ndërsa Koreja e Veriut po e përdor pjesërisht shpërthimin si një mjet propagande për të hedhur udhëheqjen e Kim në një dritë të favorshme, ajo ka “një Plan B” dhe “një Plan C” për të kërkuar ndihmë kineze dhe të tjera të huaja nëse pandemia del jashtë kontrollit.

Kee Park, një specialist global i shëndetit në shkollën mjekësore të Harvard-it, i cili ka punuar në projektet e kujdesit shëndetësor në Korenë e Veriut, tha më herët se numri i rasteve të reja duhet të fillojë të ngadalësohet si rezultat i masave të forcuara parandaluese si kufizimet e udhëtimit dhe mbajtja e punëtorëve të ndarë në grupe sipas punës së tyre.

Por, sipas Park, Koreja e Veriut do të luftojë për të ofruar trajtim për numrin tashmë të madh të njerëzve me COVID-19, duke shtuar se vdekjet mund të arrijnë në dhjetëra mijëra.

Pavarësisht ngarkesës së rasteve, vendi i izoluar pretendoi se bujqësia vazhdonte, fabrikat po punonin dhe po planifikonte një funeral shtetëror për një ish gjeneral.

Koreja e Veriut tha të mërkurën se shpërthimi i virusit në vend po merrte një “kthesë të favorshme”, megjithëse zyrtarët në Korenë e Jugut thonë se është e vështirë të nxirret një përfundim pasi është e paqartë se si Koreja e Veriut po llogarit numrin e pacientëve me ethe dhe COVID.

Koreja e Jugut dhe SHBA-të kanë ofruar të dyja të ndihmojnë Korenë e Veriut të luftojë virusin, duke përfshirë dërgimin e ndihmës, por nuk kanë marrë një përgjigje, tha këtë javë zëvendës këshilltari i sigurisë kombëtare të Seul-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore