Lajme

Koreja e Veriut raporton vdekjen e parë nga COVID-i, shkak varianti Omicron


Në Korenë e Veriut, gjashtë persona kanë ndërruar jetë dhe 350 mijë të tjerë janë trajtuar që nga prilli për një “sëmundje të errët”.

Lajmi vjen një ditë pasi vendi i izoluar konfirmoi praninë e coronavirus-it brenda kufijve të tij për të parën herë.

Atje, agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”, raportoi se 18 mijë njerëz ishin identifikuar se kishin “ethe, shkaku i së cilës nuk mund të identifikohej” dhe 187 mijë e 800 të tjerë ishin në karantinë.

Referuar autoriteteve, një nga të vdekurit ishte i infektuar me COVID-19 dhe se personi kishte rënë në kontakt me nënvariantin shumë të transmetueshëm të coronavirus-it, BA.2 Omicron.

Koreja e Veriut është një nga dy vendet e vetme në botë që nuk ka iniciuar një program vaksinimi.

Media shtetërore transmetoi imazhe të Kim Jong Un-it që mbante një maskë teksa kryesonte një takim të Byrosë Politike të Partisë së Punëtorëve në pushtet.

Në të ai urdhëroi “të gjitha qytetet dhe qarqet në të gjithë vendin të mbyllin tërësisht zonat e tyre” në mënyrë që të “bllokojnë plotësisht transmetimin e virusit keqdashës”.

Po ashtu shtoi se “është përparësia kryesore për të bllokuar përhapjen e virusit, duke mbyllur në mënyrë aktive zonat dhe duke izoluar dhe trajtuar personat me ethe në mënyrë të përgjegjshme”.

Ndërkaq, ekspertët janë të shqetësuar për popullsinë e pavaksinuar dhe të kequshqyer të Koresë së Veriut prej 25 milionë banorësh.

“Duke pasur parasysh atë që pamë në Hong Kong në fillim të këtij viti, plus atë që dimë për shëndetin e dobët të frymëmarrjes dhe kequshqyerjen e një pjese të konsiderueshme të popullit të Koresë së Veriut, për të mos thënë asgjë për infrastrukturën e tmerrshme të shëndetit publik të vendit, është e arsyeshme të supozohet një skenar më i keq që do të ishte katastrofik”.

Kështu është shprehur eksperti Christopher Green.

Gjithashtu shtoi se efektet mund të zbuten nga fakti se popullsia e Koresë së Veriut është relativisht e re.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore