Lajme

Korea e Veriut lëshon ‘predhë të paidentifikuar’ në det


Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un

Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) ka deklaruar të mërkurën e 5 janarit se Korea e Veriut ka lëshuar një predhë të paidentifikuar në detin Perëndimor.

Roja bregdetare japoneze, e cila raportoi fillimisht lëshimin, tha se mund të ishte një raketë balistike, por ende nuk është dhënë asnjë konfirmim.

OKB-ja e ka ndaluar Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore.

Nëse konfirmohet, kjo do të ishte nisja e parë e tillë e kryer nga Pheniani këtë vit.

“Inteligjenca e Koresë së Jugut dhe ajo amerikane po analizojnë nga afër për detaje të mëtejshme”, tha JCS-ja në një deklaratë.

Një raketë e lëshuar nën ujë ngrihet pranë qytetit bregdetar lindor të Koresë së Veriut, Wonsan, 2 tetor 2019.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi, tha se raketa e dyshuar balistike kishte fluturuar rreth 500 km (310 milje), sipas një raporti të agjencisë së lajmeve “Reuters”, por një ekspert tha se ende nuk ka asnjë mënyrë për ta konfirmuar këtë.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të vlerësuar nëse kjo mund të ketë qenë një raketë me rreze më të gjatë të fluturuar në një trajektore të shkurtuar”, tha Ankit Panda nga Programi i Politikës Bërthamore në “Carnegie Endowment for International Peace”.

Në vitin 2017, Korea e Veriut testoi “Hwasong-15”, raketë që arriti kulmin në një lartësi të vlerësuar prej 4 mijë e 500 km, duke i vendosur bazat ushtarake amerikane në ishullin e Paqësorit të Guam-it në distancë goditëse.

Nisja vjen disa ditë pasi Kim tha se Pheniani do të vazhdojë të forcojë aftësitë e veta të mbrojtjes, për shkak të një mjedisi gjithnjë e më të paqëndrueshëm ushtarak në gadishullin Korean – një qëndrim që Panda paralajmëroi se mund ta shihte vitin 2022 “të mbushur me raketa të ngjashme të Koresë së Veriut”.

Personeli i marinës ulet para një rakete balistike të lëshuar nga nëndetësja “Pukguksong” (SLBM) ndërsa parakalon në sheshin Kim Il Sung në Phenian, Korenë e Veriut, 15 prill 2017.

Kim i bëri këto komente gjatë një takimi kyç të fundvitit të partisë në pushtet të Koresë së Veriut.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, e quajti lëshimin e fundit “shumë për të ardhur keq”, duke vënë në dukje testimin e përsëritur të raketave nga Korea e Veriut që nga viti 2021.

Në vitin 2021, Korea e Veriut vazhdoi avancimin e programit të saj të armëve, duke kryer atë që media shtetërore raportoi si testimin e një rakete të re hipersonike, si dhe të një rakete balistike me bazë treni dhe një raketë të re lundrimi me rreze të gjatë.

Raketat balistike konsiderohen më kërcënuese se raketat e lundrimit, sepse ato mund të mbajnë ngarkesa më të fuqishme, kanë një rreze më të gjatë dhe mund të fluturojnë më shpejt.

Cila është situata në Korenë e Veriut?

Testet vijnë ndërsa Pheniani lufton me mungesën e ushqimit, për shkak të një bllokade të coronavirus-it që ka prekur ekonominë e tij.

Në takimin e fundvitit, Kim tha se vendi po përballet me një “luftë të madhe për jetë a vdekje”, duke shtuar se rritja e zhvillimit dhe përmirësimi i standardeve të jetesës së njerëzve ishin ndër synimet e këtij viti.

Raketë e Ushtrisë Amerikane. 

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kishin paralajmëruar më herët se fëmijët dhe të moshuarit në Korenë e Veriut ishin në rrezik nga uria.

Megjithatë, Panda thotë se kjo nuk ka gjasa të pengojë Korenë e Veriut nga ndjekja e programit të saj të armëve.

“Kim e ka mbajtur theksin e tij te mbështetja te vetja në mbrojtjen kombëtare në vitet e fundit edhe pse ai ka qenë i hapur për vështirësitë ekonomike në vend”, shtoi Panda.

SHBA-të i kanë bërë thirrje Koresë së Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore dhe marrëdhënia e Phenianit me administratën e Presidentit amerikan, Joe Biden, deri më tani ka qenë e mbushur me tensione.

Korea e Veriut gjithashtu ka akuzuar vazhdimisht Korenë e Jugut për standarde të dyfishta mbi aktivitetet ushtarake.

Korea e Jugut testoi së fundmi raketën e saj të parë balistike të lëshuar nga nëndetëse, e cila tha se ishte e nevojshme si parandalim kundër “provokimeve” të Koresë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore