Shqipëria

Konstituohet grupi i dialogut mes mazhorancës e opozitës – Basha jashtë


Këtë të enjte të 28 marsit në Komisionin e Ligjeve është konstituar grupi i dialogut për ligjet që kërkojnë një shumicë votash – 3/5 – dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në Bashkimin Evropian.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura që zgjati rreth 1 orë, u ngrit grupi i punës pas dakordësisë së arritur mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas marrëveshjes, nga mazhoranca anëtarë të këtij grupi do të jenë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu.

Ndërsa opozita do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Erisa Xhixho.

Më herët, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i pati ofruar vendin e tretë grupimit të deputetëve të Partisë Demokratike (PD) që mbështesin Lulzim Basha.

Basha siç ka përsëritur shpesh nuk e pranoi propozimin dhe atëherë – sipas procedurës – vendin e merr anëtarja zëvendësuese, në këtë rast Dhurata Çupin.

Kujtojmë se dy javë më parë, me kërkesë të Partisë Demokratike u zhvillua tryeza e dialogut me pjesëmarrjen e partive politike dhe aktorëve opozitarë.

Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u ra dakord “emergjenca e hartimit dhe zbatimit të një pakete të plotë reformash ligjore e institucionale për të korrigjuar ndërhyrjet e rënda të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, të cilat i mohuan të drejtën shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre, prishën balancat e pushteteve, polarizuan ekstremisht diskurin politik në vend dhe rrënuan demokracinë funksionale nëpërmjet mungesës së kontrollit të legjislativit”.

Gjithashtu u ravijëzua se “nëpërmjet Reformës Zgjedhore duhet synuar që të rregullohet përfaqësimi dinjitoz i përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në vlera meritokracie, në mënyrë që ky përfaqësim të kontribuojë në ndërtimin dhe përmirësimin e shtetit shqiptar dhe jo të jetë përfaqësues i pushtetit të radhës dhe i oligarkisë, që investon te pushteti paret e njerëzve që u vjedh nëpërmjet shtetit”.

Ndërkohë, në seancën e sotme plenare pritet miratimi i dy Komisioneve Hetimore.

Bëhet fjalë për dy të fundit që janë dakordëduar së fundmi dhe që janë pritur me duartokitje dhe kritika.

Komisioni për Shëndetësinë dhe për sistemin TIMS, ka bërë bashkë opozitën dhe mazhorancës.

Ama, jo gjithë opozitën. Partia Demokratike zyrtare (ajo e Lulzim Bashës) është shprehur kundër këtij dialogu, madje ka refuzuar vendin e ofruar nga Gazment Bardhi.

Ndërkohë, mbrëmjen e 20 marsit, janë zbardhur emrat e anëtarëve të dy Komisioneve për të cilat u dakordësuan së fundmi opozita dhe mazhoranca.

Kështu, Komisioni sa i takon sistemit TIMS ka si kryetar deputetin, Ervin Salianji dhe nënkryetar Toni Gogun.

Anëtarët socialsitë janë: Nasip Naço, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Xhemal Qefalia, Antoneta Dhima, Bardhyl Kollçaku, dhe Denis Deliu.

Ndërsa nga radhët e PD-së ishin: Lindita Metaliaj, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani, Ramadan Likaj, Luan Baçi, Elda Hoti.

Anëtarët Zëvendësues janë: Eduart Nreca Anëtar zëvendësues PS, Laer Duraj anëtar zëvendësues PS, Bledion Nallbati anëtar zëvendësues PD dhe Isuf Celaj anëtar zëvendësues PD.

Ndërkaq Komisioni për Shëndetësinë drejtohet nga Albana Vokshi dhe nënkryetar ka Plarent Ndrecën.

Anëtarë janë: Klodiana Spahiu PS, Milva Ekonomi PS, Ilirjan Pendavinji PS, Ilir Metaj PS, Edona Bilali PS, Petro Koçi PS, Klevis Xhoxhi PS, Zheni Gjergji PD, Ina Zhupa PD, Edmond Spaho PD, Saimir Korreshi PD, Xhelal Mziu PD, Petrit Vasili Anëtar PD.

Ndërsa anëtarët zëvendësues: Lavdrim Krashi PS, Mirela Pitushi PS, Emilia Koliqi Anëtar PD, Ilda Dhori PD.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore