Lajme

Konjufca me tone mërzie në Hagë: Specialja është Gjykatë e Zorit


Glauk Konjufca

Gjykata Speciale është riemëruar si Gjykata e Zorit nga kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po qëndron në Hagë për t’u takuar me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që akuzohen nga prokuroria e këtij institucioni.

Po bëhen dy vjet prejse janë arrestuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e të tjerët, por ende nuk ka filluar gjykimi dhe as nuk po lejohen që të mbrohen në liri. Kjo është edhe kritika kryesore e Konjufcës.

“Puna e saj deri tashme ka shumë defekte”, thotë ai në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, por “ajo që menjëherë ta merr vëmendjen, është se po bëhen dy vjet që këta janë të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”.

Konjufca është deri tash i vetmi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, që i është pranuar kërkesa nga Thaçi dhe të tjerët, për t’i vizituar, pasi akuzat e mëdha që vinin nga VV sa ishte në opozitë, kishin krijuar hendek të madh mes dy palëve.

Shkak ky, që ish-krerët e UÇK-së nuk e pranuan në vizitë as ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, kur kërkoi t’i takonte në qendrat e paraburgimit.

Por, me Konjufcën kanë pasur qasje ndryshe.

“Me iu thënë të drejtën ne si Kosovë i shohim me shumë shqetësim”, tha Konjufca.

“Shqetësuese ka qenë vetë themelimi i kësaj Gjykate. Edhe ata që kanë menduar që është e pashmangshme edhe ata kanë pasur vërejtjet e veta në atë kohë kur është themeluar”.

Prandaj, kryetari i Kuvendit Konjufca, shton se “nuk është se është bërë prej qejfit, ka qenë një far gjykate e zorit më thënë të drejtën”.

“Edhe ata që e kanë ngritur dorën kanë menduar se po të mos të bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë së prapë Kosovë do të pësonte. E di që në atë kohë nuk ka qenë e lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar ‘për’”.

Konjufca gjatë ditës së sotme është takuar me një pjesë të të akuzuarve atje, derisa është bërë e ditur që nesër, e diel, 19 qershor, do të ketë takim me paraardhësin e tij në Kuvend, Kadri Veselin dhe ish-kryeministrin e Kosovës dhe ish-presidentin, Hashim Thaçin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore