Lajme

Konflikti në Tigray Etiopi/ Biden kërkon armëpushim dhe fund të abuzimeve


Presidenti amerikan Joe Biden, të mërkurën e 26 majit, ka bërë thirrje për një armëpushim në konfliktin e Etiopisë në rajonin verior të Tigray-t.

Biden u kërkoi forcave të Eritrea-s të tërhiqen nga Tigray, si dhe luftëtarëve nga rajoni fqinj Amhara.

Për më tepër Biden shtoi se duhet t’i jepet fund “abuzimeve në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut”. Luftimet kanë shtatë muaj që nuk ndalen. Ku kanë mbetur të vrarë mijëra njerëz dhe janë detyruar 2 milionë të tjerë të braktisin shtëpitë e tyre.

Presidenti amerikan gjithashtu ka theksuar mundësinë e ndërprerjes së ndihmave me ushqime.

Konflikti e vë ushtrinë etiopiane dhe aleatët e saj eritrean kundër një force rajonale tigrajane.

Në deklaratën e tij Biden përmendi në mënyrë specifike “dhunën e përhapur seksuale”. Në prill, kreu i zyrës humanitare të Organizatës se Kombeve të Bashkuara (OKB), Ocha, Mark Loëcock tha se po përdorej si “një armë lufte” me gra dhe vajza që ishin në shënjestër.

Abuzimet ishin “të papranueshme dhe duhet të marrin fund”, tha presidenti amerikan.

Ai gjithashtu tha se ishte “thellësisht i shqetësuar nga dhuna e përshkallëzuar dhe forcimi i ndarjeve rajonale dhe etnike në pjesë të shumta të Etiopisë”.

Ka konflikte të shumta në të gjithë vendin ndërsa Etiopia përgatitet për zgjedhjet kombëtare më 21 qershor.

Më parë këtë javë, SHBA-të njoftuan kufizime të vizave ndaj zyrtarëve etiopianë dhe eritreanë dhe të tjerët që u akuzuan për mizori.

Kur nisi?

Gjithçka filloi nëntorin e kaluar, kur kryeministri Abiy Ahmed urdhëroi një sulm ndaj forcave besnike të ish-partisë në pushtet të rajonit, Frontit Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF), pasi ata kishin kapërcyer bazat e ushtrisë federale.

Abiy deklaroi një fund të konfliktit pas vetëm një muaji, me kapjen e kryeqytetit të Tigray-t, Mekelle.

Por më shumë se gjysmë viti më vonë, pamja duket shumë ndryshe ndërsa luftimet vazhdojnë.

Sipas OKB-së, nuk ka një numër të saktë të vdekjeve, por mendohet se mijëra njerëz janë vrarë. Më shumë se 5 milionë kanë nevojë për ndihmë ushqimore.

“Ekziston një rrezik serioz i urisë nëse ndihma nuk shkallëzohet në dy muajt e ardhshëm”.

Ushtarët e Etiopisë, Eritrea-së dhe TPLF-së janë akuzuar të gjithë për abuzime të të drejtave të njeriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore