Lajme

Konfirmon MPJ e Maqedonisë së Veriut: Kurti ka arritur tashmë në Strugë, për të marrë pjesë në Forumuin e Prespës


Kryeministri Albin Kurti po merr pjesë në edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Dialog.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zyra për medie e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

“Ai veçse ka ardhur në Strugë”, thuhet nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.

Ky edicion përkon me 5-vjetorin e arritjes së marrëveshjes historike midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, në Prespë, më 17 qershor 2018, marrëveshje e cila i hapi rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

I ftuar është edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili është i ftuar të marrë pjesë në panelin e kryesuar nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ku do të marrin pjesë gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe Presidentët e Kroacisë e të Malit të Zi, respektivisht Zoran Milanoviç dhe Jakov Milatoviç.

Tema e këtij paneli është: Paqja dhe demokracia kundrejt luftës dhe autokracisë (Peace and Democracy versus Ëar and Autocracy).

Në këtë takim, i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i cili ka thënë për Alsat M se këtë të premte me Kurtin do të bisedojnë për situatën në Kosovë dhe për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes, me qëllim qetësimin e situatës dhe garantimin e paqes në rajon.

Kurti dje i bëri thirrje dje KFOR-it të ushtrojë trysni mbi Serbinë që t’i kthejë në Kosovë tre zyrtarët policorë që u rrëmbyen nga forcat serbe të mërkurën.

Në një seancë të jashtëzakonshme në parlamentin e Kosovës, kryeministri tha se KFOR-i si ushtrues i funksionit të mbrojtjes duhet ta ndëshkojë këtë shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“KFOR-i pra nuk do të duhej të jetë i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues të cilin edhe e kishte mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha kryeministri Kurti.

Veprimet e Serbisë, tha ai, dëshmojnë për orientimin e udhëheqjes së Serbisë nga verilindja dhe jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë, e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, është jo vetëm mendësi barbare, mesjetare por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, nga despotët e verilindjes, e jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore