Kosova

Komunës së Gjakovës i shqiptohet gjobë prej 20 mijë euro për publikimin e të dhënave personale


Komuna e Gjakovës

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), i ka shqiptuar një gjobë prej 20 mijë euro Komunës së Gjakovës, pasi kjo komunë kishte publikuar në ueb faqen e saj zyrtare, për një kohë lista me të dhëna personale të qytetarëve të cilët kanë fituar subvencione shëndetësore për vitin 2024.

Në njoftimin e kësaj agjencie, në rrjetin social Facebook, ata kanë bërë të ditur të dhënat që janë bërë publike.

“Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP ka konstatuar se Komuna e Gjakovës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve personale (të dhëna të ndjeshme), të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, numrin personal, diagnozën e sëmundjes, numrin e llogarisë bankare, numrin e telefonit të personave fizik”, thanë ata.

Lidhur me këtë çështje, nga kjo agjenci, kanë thënë se kanë ndërmarrë veprime ligjore ndaj komunës.

Më tej, nga AIP-ja, u theksua se do të vazhdojnë inspektimet në ueb faqet e tjera sidomos në komunat e Kosovës.

“Në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura në harmoni me Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore