Lajme

Knezheviç: Ambasadori gjerman urdhëroi që serbët të mbesin jashtë qeverisë për shkak të Kosovës


Milan Knezheviç

Kreu i Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviç, njëherë një nga liderët e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, ka akuzuar ambasadorin e Gjermanisë, Peter Felten, i cili, sipas tij, ka dhënë urdhër që ZBCG-ja të mos jetë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi.

Milojko Spajiç, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me Lëvizjen Evropa Tani (PES) dhe rrugës për të marrë drejtimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi, ka thënë se ekzekutivi do të formohet pa koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, i cili përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb e pro-rus.

E arsyeja që ky grupacion politik pritet të mbesë jashtë qeverisë së re malazeze, sipas pretendimeve të Knezheviçit, ka të bëjë me presionin që ambasadori gjerman e ka vendosur mbi Spajiçin e që lidhet me çështjen e (mos)njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Shkëlqesia e tij iu jep urdhër shumicës së aktorëve të skenës politike, duke shpallur publikisht se serbët nga ZBCG-ja nuk lejohen në qeveri sepse ata nuk e njohin të ashtuquajturën Kosovë dhe ata e duan Rusinë. Dhe problemi nuk është se Felteni i urdhëron, por se shumica e tyre e dëgjojnë atë me përulësi dhe eufori”.

Ish-Fronti Demokratik në vitin 2018 kishte nisur një peticion për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së bashku me një grumbull partish dhe organizatash pro-serbe e pro-ruse, zyrtarë të të cilëve edhe kishin vizituar Mitrovicën e Veriut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) presin që ekzekutivi i ri të shpallë të mbyllur çështjen e (ç)njohjes së Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore