Lajme

Kisha Ortodokse Serbe reagon ndaj Viola von Cramon – “KOS në Gjermani është pjesë e Patriarkanës Serbe”


Patriarku i 46-të i Kishës Ortodokse Serbe në Tempullin e Shën Savës në Beograd, Porfirije

Kisha Ortodokse Serbe përmes një shkrimi i ka reaguar Deputetes në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila mbrëmjen e së hënës përmes një replikimi në Twitter, shkroi se “nuk ka Kishë Ortodokse Serbe”.

“Kemi pranuar protestime të mprehta në lidhje me këtë. Kisha Ortodokse Serbe ekziston në Gjermani, si pjesë e Partiarkanës Serbe Autoqefale që është një dhe e pandashme”, shkruan ky institucion kishtar.

“Kushtetuta dhe dekretet e Kishës Ortodokse Serbe janë të vlefshme si kudo tjetër në territorin e saj kanonik dhe në territorin e Gjermanisë dhe të gjitha organet kishtare-hierarkike janë të detyruara të drejtohen prej tyre”, vazhdon më tej reagimi.

“Në bazë të Kushtetutës së Kishës Ortodokse Serbe, autoritetet përkatëse kishtare emërojnë dhe shkarkojnë administratat e të gjitha organeve, dhe Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve emëron dhe, nëse është e nevojshme, shkarkon kryepeshkopin dioqezan”, përfundon reagimi, transmeton agjensioni rus i lajmeve “Sputnik”.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u pyet se si e komenton këtë pohim të eurodeputetes, ndërsa përgjigja e tij ishte se “e keni bërë yll politik në Serbi atë (Viola von Cramon)”.

Deputetja në Parlamentin Evropian pas lajmërimit të takimit të saj me peshkopin e Dyseldorfit të Gjermanisë të Kishës Ortodokse Serbe, Gregory, përmes një replikimi në Twitter, ka deklaruar se “Nuk ka ‘Kishë Ortodokse Serbe’”.

Një përdoruese e kësaj plaforme i shkroi se “me gjithë respektin ndaj juve, por është e rëndësishme të thuhet se Kisha Ortodokse Serbe është entitet pro-rus. Nëse e ndryshon atë gjë do të ishte shumë mirë, por dyshoj”.

“Nuk ka ‘Kishë Ortodokse Serbe’”, i replikoi Cramon.

“Këto janë dioqeza tejet auotonome, ndryshe nga Kisha Katolike. Bisedoni me peshkopin dhe do të befasoheni”, shkroi Viola von Cramon.

Ajo më parë njoftoi se kishte “një diskutim konstruktiv dhe të hapur me Gregorin, peshkop i Kishës Ortodokse Serbe, Dioqezës së Dyseldorfit dhe Gjithë Gjermanisë, për sfidat e përbashkëta dhe dialogun ndërfetar në Ballkanin Perëndimor dhe Gjermani”.

Dioqeza e Dyseldorfit dhe e gjithë Kisha Ortodokse Serbe Gjermane njoftuan se peshkopi i asaj dioqeze, Grigorije Duriç, priti Viola von Cramon, një anëtare e Parlamentit Evropian nga të Gjelbrit, të cilës i kërkoi të avokonte që prona “t’i kthehej” Manastirit të Deçanit.

“Peshkopi i kërkoi asaj që të bëjnë përpjekje që autoritetet e Prishtinës të implementojnë vendimin e Gjykatës së tyre Kushtetuese për t’ia kthyer 24 hekterët tokë Manastirit”, shkruhet në webfaqen e dioqezës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore