Lajme

Kina shkak i përplasjes mes Izraelit dhe SHBA-së


Shteti i Izraelit ka hedhur poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), për kontrollin e portit të Haifa-s.

Vitin e kaluar, SHBA-ja shprehu shqetësime mbi kontributin e kompanisë kineze në zgjerimin e portit izraelit. Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagoni) kishte planifikuar një kontroll gjithëpërfshirës në lidhje me sigurinë e portit.

Ministria izraelite e Transportit dhe Grupi Ndërkombëtar i Shangait, arritën një marrëveshje në vitin 2015-ën, ku firma kineze do të merrte drejtimin e portit.

Zyrtarët nga Washington-i i kanë kërkuar shtetit të Izraelit, të tërhiqet nga marrëveshja me arsyen se Kina do të përfitonte për të shtrirë ndikimin e saj. Spiunimi përmes mjeteve teknologjike ishte një nga shqetësimet kryesore të administratës amerikane.

Akuzat e spiunimit kinez u bënë një nga çështjet më të diskutuara të administratës Trump.

“Nëse bashkëpunimi me kompaninë kineze vazhdon, anijet e flotës amerikane nuk do të ankorohen më në portin e Haifa-s”, shkruan gazeta izraelite Haazer.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vazhdimisht rezerva rreth “rritjes së ndikimit kinez në Izrael”, dhe paralajmëruan se ky ndikim përbën një kërcënim për interesat strategjikë të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Izraeli luan një rol qendror në mbrojtjen e interesave amerikane, por nëse investimet kineze vazhdojnë, kjo mund të paraqesë një kërcënim për sigurinë ekonomike të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore