Lajme

Kina sfidon zyrtarët japonezë: Pini nga uji i Fukushimës!


Kina ka rritur presionin mbi planin e Japonisë, për të lëshuar ujin e trajtuar nga termocentrali i shkatërruar, Fukushima, në oqean.

Ata u kanë bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë që të konsumojnë ujin, për të provuar sigurinë e tij.

“Politikanët japonezë thanë se ujërat e trajtuara janë të padëmshme, pse nuk pinë, gatuajnë dhe lajnë rrobat më parë me këtë ujë?”, thoshte të enjten, në Twitter, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.

Kur u pyet të premten e 16 prillit në lidhje me komentet, ministri i Financave të Japonisë, Taro Aso, anashkaloi pyetjet dhe tha se nivelet e ndotjes së ujit në Fukushima janë nën kufijtë e udhëzimeve ndërkombëtare.

Plani i Tokios për të lëshuar ujërat e Fukushimës në Oqeanin Paqësor, e cila u njoftua të martën, është kritikuar ashpër nga Kina, Tajvani, Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut.

Aso ka thënë që uji dukej mjaft i sigurt për t’u pirë. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve tregoi se plani duket të jetë në përputhje me standardet globale të shkarkimit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike mbështeti lëshimet e planifikuara, të cilat nuk do të fillojnë brenda dy viteve dhe pritet të zgjasë me dekada.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ruan kufizimet e importit në disa produkte ushqimore nga Fukushima, për shkak të kontaminimit të mundshëm radioaktiv, sipas faqes në internet të prefekturës.

Ka kohë që ka pasur thirrje për të provuar sigurinë e ujërave nëntokësorë të trajtuar që kanë rrjedhur nëpër uzinën e shkatërruar në Fukushima.

Një zyrtar i partisë në pushtet piu një gotë ujë, në vitin 2011, të mbushur nga brenda ndërtesës së reaktorit në objektin Fukushima Dai-Ichi. Kjo, në një përpjekje për të mbështetur pretendimet e qeverisë se përpjekjet e dezinfektimit po përparonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore