Lajme

Këshilli NATO-Rusi mban takimin e parë pas 2 viteve


NATO – Rusia po zhvillojnë takimin e parë pas më shumë se dy viteve.

Këshilli NATO-Rusi (NRC) u mblodh të mërkurën e 12 janarit në Bruksel për herë të parë që nga korriku i vitit 2019.

Bisedimet erdhën pas një sërë takimesh të profilit të lartë midis zyrtarëve rusë dhe perëndimorë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj u ulën në një tryezë me të dërguarit rusë – në mes të tensioneve të rritura për grumbullimin e trupave ruse pranë Ukrainës.

NATO-ja tha se ishte gati për më shumë bisedime me Moskën.

Çfarë u tha nga NATO?

Duke informuar gazetarët pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se bisedimet shënuan një “moment përcaktues për sigurinë evropiane”.

Stoltenberg tha se, takimi katër-orësh, i fokusuar kryesisht në situatën “në dhe rreth Ukrainës”, ishte një takim i vështirë dhe “i drejtpërdrejtë”.

“Dallimet tona nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer”, tha ai, duke shtuar se është një shenjë pozitive që të 30-të aleatët e NATO-s u ulën me Rusinë pas dy vjetësh.

Pavarësisht dallimeve të tyre, palët shprehën nevojën për dialog të mëtejshëm për të kërkuar mënyra “konstruktive” për zgjidhjen e krizës.

Zyrtarët e NATO-s dhe rusë diskutuan gjithashtu për rivendosjen e zyrave përkatëse në Bruksel dhe Moskë.

Rusia pezulloi misionin e saj në NATO tetorin e kaluar, dhe mbylli zyrën e aleancës në Moskë.

Masa hakmarrëse erdhi pas dëbimit nga NATO-ja të diplomatëve rusë, të akuzuar për spiunazh.

Çfarë tha Rusia?

Ndërsa bisedimet po zhvilloheshin në Bruksel, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se Rusia nuk po jepte ultimatume.

“Ne nuk po negociojmë nga një pozicion i forcës, nuk ka dhe as nuk mund të ketë vend për ultimatume këtu”, tha Peskov.

Kërkesat e Rusisë, të zbuluara në dhjetor, synojnë të frenojnë SHBA-në dhe NATO-n në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore – duke thënë se aleanca e udhëhequr nga SHBA-të nuk duhet të pranojë Ukrainën ose Gjeorgjinë si anëtarë të rinj ose të krijojë baza në vendet ish-sovjetike.

Pas më shumë se shtatë orësh negociatash në Gjenevë të hënën e 10 janari, zyrtarët rusë dhe amerikanë ofruan të vazhdonin bisedimet, megjithëse nuk pati ndonjë përparim të menjëhershëm.

Moska mbeti skeptike për përparimin dhe këmbënguli se do t’i qëndronte qëndrimit të saj – se nuk do të lejonte që kërkesat të mos pranoheshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore