Libra

Këshilla nga Schopenhauer për leximin


Johnny Depp

Kur lexojmë, dikush tjetër mendon për ne; kurse ne jemi vetëm duke e përsëritur aktivitetin mental të tij. Është sikurse nxënësi që ka filluar të mësoj të shkruajë, që lëviz lapsin nëpër vijat e nënvizuara nga mësuesi. Njëjtë sikur kjo, kur lexojmë, puna e mendimit na mirret. Për këtë arsye ndodh se çlirohemi e rahatohemi nga preokupimi me mendimet tona kur lexojmë.

Por nëse kur lexojmë mendja jonë mbetet vetëm arenë loje e tjetër kujt, dhe kur këta s’janë më, neve çfarë na mbetet? Rezultati është se dikush që lexon tepër dhe tërë ditën dhe në intervalet mes këtyre dyjave shijon momente të pamendta, gradualisht humbet aftësitë të mendojë për veten; sikurse një njeri që gjithmonë udhëton me karrocë harron të ecë.

Por kjo gjë u ka ndodhur shumë studiuesve, ata kanë lexuar e lexuar deri sa janë shndërruar në budallenj. Sepse leximi i vazhdueshëm, që pas pauzave më të vogla rivazhdon, është edhe më paralizuese për mendjen se sa punët e krahut për trupin. Sepse kur jemi duke punuar punë manuale, ne mund ti japim lirinë mendjes.

Është sikurse stomaku që shqetësohet nga ushqimi i tepërt dhe e dëmton tërë trupin, të njëjtën mënyrë mund ta ngulfasim mendjen me materiale të shumta mentale. Sepse aq më shumë që lexojmë, aq më pak mbesin gjurmët e atyre gjërave që kemi lexuar.

Bëhet si tabela në orët mësimore në shkollë, ku janë shkruar gjërat njëra mbi tjetrën. Dhe në këtë mënyrë ne s’reflektojmë mbi gjërat që lexojmë, që është e vetmja mënyrë për të asimiluar atë që kemi lexuar. Njëjtë sikur ushqimi që bëhet ushqyes pasi që të jetë tretur në sistemin tonë.

Në anën tjetër, nëse lexojmë pa menduar dhe reflektuar mbi atë që kemi lexuar, atëherë ajo as që mbetetet brenda nesh, nuk merr kurrëfar rrënjësh brenda nesh.

Pra në këtë mënyrë të përgjithshme, është e njëjta gjë më ushqimin e trupit ashtu siç është edhe me ushqimin e mendjes; as një e pesta e asaj që kemi lexuar nuk asimilohet; pjesa e mbetur avullohet, harxhohet.

Kësaj shto edhe atë se mendimet e reduktuara në shkronja s’janë asgjë tjetër më shumë se gjurmët e këmbëve që një njeri i lë duke ecur në shkretërirë. Është e vërtetë se shohim rrugën që ka ecur, por nuk e dimë se çfarë ka parë, për këtë arsye duhet të përdorim sytë e tanë.

Pjesë e përkthyer dhe përshtatur nga vepra e Arthur Schopenhauer, “Parerga und Paralipomena”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore