Kosova

Kerquki për arrestimin e Molliqaj: Hera e parë që i ftuari arrestohet para emisionit


Arrestimi i kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj nga Policia e Kosovës.

Udhëheqësi i emisionit Pressing në T7, Leonard Kerquki, pas arrestimit të kreut të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj ka thënë se është hera e parë që i ftuari arrestohet para emisionit.

Kështu ka bërë të ditur ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Siç arritet me pa LIVE, mbi 40 police e rrethuan studion e Pressingut dhe e arrestuan Dardan Molliqajn, te ftuarin e emisionit. Kjo eshte hera e pare qe i ftuari arrestohet para emisionit”, ka shkruar Kerquki.

Ndërsa, ka sqaruar se PSD ka thënë se kreu i kësaj partie ka qenë gjatë gjithë ditës në zyrën e tij.

“Sipas PSD’se, Molliqaj ka qene tere diten ne zyren e tij, prandaj nuk e kuptoj kete spektakel te policise ne oborrin e televizionit. Cka po dojne me deshmu me kete akt dhe kujt po ia tregojne forcen?, Emisioni, mbahet, megjithate”.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj arrestohet nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, i ftuar si analist në këtë emision, Blerim Latifi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka komentuar arrestimin e kreut të PSD-së Dardan Molliqaj.

“Hyqmi ka zbarkuar te Pressing. Në kërkim të “arratisurit” ma ta ri në Kosovë, D.M”, ka shkruar Latifi.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj është arrestuar të martën e një shkurtit nga policia e Kosovës afër zyrave të T7, ku pritet të transmetohet drejtpërdrejtë emisioni Pressing.

Molliqaj ishte i ftuar në këtë emision për të diskutuar lidhur me protestën e fundit kundër shtrenjtimit të energjisë dhe për arrestimin e aktivistit të PSD-së.

Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga 29 janari kur u mbajt protesta e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, pasi që më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa goditi me një shuplakë një zyrtar policor.

Ndryshe, Molliqaj me 30 janar është deklaruar lidhur me këtë incident duke thënë se “përgjegjësia mbi incidentin më takon mua”.

“Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal”, shkroi Dardan Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore