Lajme

Kërkohet përjashtimi i profesorit Ardian Kastratit nga UP


Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në një protestë të organizuar sot në ora 11:00 para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar përjashtimin e profesorit të Departamentit të Shkencave Politike, Ardian Kastrati, i cili është deputet i partisë opozitare PDK.

Ky përjashtim i profesorit Kastrati po kërkohet, pasi që ky i fundit ka bërë një postim në rrjetin e tij social facebook, pak kohë pas zgjedhjes së Presidentes Vjosa Osmani.

Liridona Sijarina njëra prej organizatoreve dhe aktivistëve protestuese para Rektoratit, në një prononcim para mediave, është shprehur se seksistët nuk duhet të paguhen nga taksat e qytetarëve.

Ajo ka kërkuar nga UP gjithashtu edhe shkarkimin e këshillit drejtues të UP-së.

“Kërkesa e dytë, ka të bëjë me fenomenin e ngacmimeve seksuale në UP, kërkojmë që të shkarkohet këshilli drejtues i UP-së për zvarritje të rregullores për parandalim të ngacmimeve seksuale”, ka shtuar Sijarina.

Deputeti opozitar dhe njëherit profesori Ardian Kastrati, mbrëmë kishte bërë një postim të cilin e ka shlyer nga muri i tij pas pak kohe. Ai kishte cituar Faik Konicën duke thënë se i kishte pëlqyer gjithmonë satira e tij.

“Në një shkrim të botuar në ‘Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: “…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.”

 

Ndërsa menjëherë pas protestës së organizuar, Universiteti i Prishtinës ka lëshuar një komunikatë, ku njofton se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasoj e një shkrimi të publikuar nga profesori i Fakultetit Filozofik, z.Ardian Kastrati.

Në komunikatë thuhet se Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe në stabilitetin politik të vendit, por sa i përket situatës së krijuar janë distancuar nga deklarata individuale e profesorit Kastrati gjithashtu, kërkon nga personeli i UP-së që pavarësisht se ku janë të angazhuar, ta ruajnë imazhin e UP-së.

Gjithashtu, menaxhmenti i UP-së në këtë komunikatë është shprehur se “Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi.”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore