Lajme

Haradinaj meritat për avancimin e Kosovës në KiE ia lë aleatëve: Ndonëse Kurti u nxorri pengesa, ata sërish na sollën këtë rezultat


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ia ka lënë tërësisht meritat aleatëve sa i përket avancimit të Kosovës të mërkurën për anëtërisimin në Këshillin e Evropës.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, ku theksoi se përkundër pengesave që kryeministri Albin Kurti, ua ka nxjerrë aleatëve, ata përsëri e ndihmuan Kosovën në këtë proces.

“Është pozicionim i qartë i aleatëve me avancu Kosovën. Mendoj se përkundër pengesave që kryeministri [Albin] Kurti ua ka nxjerr aleatëve ata prapë se prapë arritën me nxjerr këtë rezultat, është krejtësisht punë e tyre”, beson ai.

Miratohet raporti i Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Duke folur për kërcënimet e paralajmëruara në Veri të vendit që mund të çojnë në tensionim të situatës në atë pjesë të Kosovës, ish-kryeministri ka thënë se çdoherë ekziston një mundësi e tillë, derisa ka bërë thirrje që Kosova të jetë vigjilente.

Ai ka theksuar se Kosova duhet që të jetë bashkë me aleatë, që kështu të mos lejojë rrezikimin e vendit.

“Kërcënimet e paralajmëruara në Veri, çdoherë ekziston një mundësi e tillë, pra e kërcënimeve, por Kosova duhet me qenë vigjilente dhe duhet me qenë bashkë me aleatët mos me leju rrezikimin e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj, transmeton “EkonomiaOnline”.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Haradinaj ka bërë të ditur se ende nuk e ka kandidatin e saj për kryeministër, dhe se një gjë e tillë do të vendoset me kohë, duke mos përcaktuar asnjë afat se kur mund të ndodhë kjo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore