Lajme

KDI kërkon nga Qeveria që vendimet e Kushtetutës të zbatohen pa asnjë rezervë


Foto: Ilustrim.

Pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka shkelur Kushtetutën kështu duke e shpallur anti-kushtetues ligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë për Këshillin Prokurorial ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Përmes një komunikate për media nga KDI-ja është thënë se Qeveria nuk duhet të sfidoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Për shkak të ndjeshmërisë dhe peshës që këto ndryshime ligjore pritet të sjellin në sistem por edhe në praktikë, të njëjtat do të duhej të ishin zhvilluar në një frymë më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse me akterët relevant”.

“Zyrtarët e ekzekutivit të përmbahen nga çfarëdo komentimi apo sfidimi publik i vendimeve të Kushtetueses”, thuhet në komunikatë.

Teksa është kërkuar nga institucionet shtetërore që vendimet e Kushtetueses të zbatohen pa pasur asnjë rezervë.

“Duke qenë instanca e vetme për interpretimin e kushtetutshmërisë së ligjeve, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet, andaj ato duhet zbatuar pa asnjë rezervë. Në këtë frymë, bartësit e institucioneve nuk do të duhej të lëshoheshin në komentime apo kontestim të vendimeve të Kushtetuese”.

Nga KDI-ja është shprehur edhe shqetësimi në lidhje me deklaratat e ministres së Drejtësisë për vënien në dyshim të përmbajtjes së vendimit të kushtetueses.

“Pas publikimit të njoftimit nga ana e Gjykatës lidhur me projektligjin për KPK-në, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me anë të një konference për media, ka atakuar njoftimin e Gjykatës, duke vënë në dyshim jo vetëm përmbajtjen e vendimit por edhe mospublikimin e deritanishëm të tij”.

“Një qasje e tillë e ekzekutivit në kontestimin publik të vendimeve të gjyqësorit – vlerësojmë që përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor, por edhe cenon parimin kushtetues të ndarjes, balancimit dhe kontrollit të pushteteve”.

Të shtunën e 26 marsit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën. Gjykata shpalli anti-kushtetues Ligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë për Këshillin Prokurorial.

Dy ministre me shkelje të Kushtetutës, Haxhiu e Nagavci “super kriminelet” e Qeverisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore