Lajme

Dy ministre me shkelje të Kushtetutës, Haxhiu e Nagavci “super kriminelet” e Qeverisë


“Ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel”, thoshte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, derisa brenda dy vjetësh qeverisje dy ministre të kabinetit të tij e kanë bërë një gjë të tillë.

Të shtunën e 26 marsit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën. Gjykata shpalli anti-kushtetues Ligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë për Këshillin Prokurorial.

Ngjashëm si për Haxhiun, Kushtuesja kishte njoftuar më 8 prill të vitit të kaluar se edhe ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Kjo gjykatë e kishte vlerësuar si të pranueshme kërkesën e Kastratit, kundër vendimit të MASHT-it të 23 prillit për direktivat e organizimit të mësimit në Kamenicë.

Megjithëkëtë, nuk ka pasuar ndonjë reprezalje – as politike e as institucionale për ministret në fjalë.

Haxhiu e Nagavci vazhdojnë të jenë ministre.

Madje, kjo e para theksoi se nuk e mendon dorëheqjen, duke pyetur gazetarët se “për çfarë të japë dorëheqje?”.

“Ndoshta është mirë të pyetet opozita pse po e kërkojnë. Prej kur e kam marrë mandatin jam ballafaquar më kërkesat për dorëheqje, sepse konsideroj se kur e kanë parë vullnetin tonë dhe seriozitetin tonë për të jetësuar reformën në drejtësi, kanë filluar me kërkesat për dorëheqje”, tha Haxhiu në një konferencë për media të shtunën.

Albulena Haxhiu dhe Arberie Nagavci

Maloku: Mospranimi i një vendimi nga zyrtar të lartë te Qeverisë, përbën një precedent shumë të rrezikshëm për rendin kushtetues

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, thotë për Albanain Post se publikimi i vendimit të Gjykatës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e KPK-së të shprehura publikisht edhe përmes përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky Ligj të mos miratohej si i tillë.

“Zyrtar të lartë te pushtetit, përkatësisht, nga Ministria e Drejtësisë, vështirë e kanë të pajtohen me këtë vendim të drejtë dhe vendimtar të Gjykatës. Mendoj se mospranimi i një vendimi nga zyrtar të lartë të Qeverisë, përbën një precedent shumë të rrezikshëm për rendin kushtetues në Kosovë”.

“KPK-ja ka shprehur para opinionit qëndrimin e vet me anë të deklaratave dhe reagimeve të njëpasnjëshme për një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së dhe për futjen e elementeve dhe propozimeve kundër ligjit, si dhe për nxitimin marramendës të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar këtë Projektligj, pa u konsultuar fare për draftin final me aktorët e këtij procesi, por dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias”, deklaroi ai.

Ai ka shtuar se Qeveria nuk ka marr parasysh propozimet e dala edhe nga Strategjia për Sundimin e Ligjit, propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Jetish Maloku

Prandaj, Maloku shton se në këtë kontest, “Gjykata Kushtetuese hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje”.

Maloku pohon se Kushtetuesja me nxjerrjen e këtij vendimi, “afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese kundrejt çfarëdo cenimi politik, që thellësisht pastaj cenon edhe pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial”.

Avokatët: Praktikë e rrezikshme mos zbatimi i vendimeve gjyqësore

Për avokatin Skender Musa, “pa asnjë dyshim po bëhet praktikë e rrezikshme mos zbatimi i vendimeve gjyqësore nga ana e ministrisë së drejtësisë”.

“Qeveria nuk ka zbatuar dy vendime të gjykatave të rregullta njëra ka të bëjë me çështjen e noterëve, vendim ky i plotfuqishëm dhe nuk emërohen noterët, pastaj vendosja e masës për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe tash së fundi kundërshtimi i vendimit të gjykatës kushtetuese”, tha Musa për Albanain Post.

Musa ka theksuar se zyrtarët e qeverisë duhet ta kenë të qartë se mos zbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale, por është e rrezikshme edhe për demokracinë dhe rendin kushtetues.

Gjykata shpall anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, Partitë opozitare fitojnë rastin kundër Qeverisë

Kurse avokati Anton Nrecaj konsideron që nga qeveria ka tendencë që të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.

Kjo sipas tij, “e cenon rendin juridik dhe kushtetues”.

“Ministrja duhet ta ketë të qartë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë alfa dhe omega e funksionimit të rendit kushtetues dhe juridik në vend”.

“Vendimet e Kushtetueses duhet të respektohet”, insiston ai.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, mendon se shkelja dhe mosrespektimi o vendimeve të Gjykatës Kushtetutës në masën qe është bërë është praktike ekskluzive e kësaj qeverisje dhe “demi do të jetë i madh”.

“Po krijohet një precedent që bazamenti i organizimit vleror dhe normativ i shoqërisë sonë po vendoset në dyshim dhe sfidohet për nevoja të një partie, të një pushteti”, potencoi ai për Albanian Post.

Madje ai vuri në pah se “kjo mendësi është shumë larg aspiratave për të ndërtuar një shoqëri dhe institucione demokratike”.

“Është e rrezikshme dhe opozita dhe shoqëria civile bashkë me mediat duhet të vëmë theksin dhe të organizojmë rezistencë dhe pengesë kundër kësaj tendence para se të jetë shumë vonë”.

“Vendimet tona janë të detyrueshme për të gjithë”, Gjykata Kushtetuese për Albanian Post, rreth vendimit për ministren Nagavci

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore