Zgjedhjet në Shqipëri

KAS rrëzon kërkesën e PD-së dhe LSI-së për Qarkun e Korçës, Elbasanit dhe Fierit, reagon Spaho


Partia Demokratike (PD) ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për refuzimin e  përsëritjes së zgjedhjeve të 25 prillit në Qarkun e Korçës.

Zëvendëskryetari i PD-së, Edmond Spaho, tha në një deklaratë për media se PD do të vijojë betejën, derisa të bëhet drejtësi e plotë për zgjedhjet e 25 prillit.

“Në Korçë qytetarët panë masakrën zgjedhore shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve. Panë sesi çdo institucion shtetëror u vendos në shërbim të Partisë Socialiste. Njerëzit panë sesi u punësuan qindra njerëz gjatë fushatës, u dhanë qindra leje legalizimi, u shpërndanë tendera për të blerë votat, u blenë votat me para në dorë”, tha Spaho.

Sipas tij, këto fakte janë kallëzuar të gjitha në SPAK, por asnjë nga provat për blerjen e votës nuk u morën parasysh.

“Shërbëtorët e Edi Ramës në KAS i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi. Në shkelje të ligjit, KAS refuzoi të marrë zyrtarisht provat për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën për votën e lirë”.

Ndër të tjera ai shtoi se tre anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste në KAS po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera.

“KAS refuzoi të bëjë drejtësi për qytetarët e Korçës, Devollit, Pogradecit, Maliqit dhe Ersekës sepse ata duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi. Dosja e qarkut të Korçës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por regjimi Rama-Doshi ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe po e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të shqiptarëve”.

Ai përmbylli fjalën e tij suke u shprehur se transparenca dhe drejtësia për 25 prillin do të bëhet e plotë.

Vendimi i Komisionit

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur për ankesat mbi Qarkun e Korçës, Elbasanit dhe Fierit, të hënën e 31 majit.

KAS vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjet në këto Qarqe.

Prandaj KAS ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përfundimtare për këto Qarqe për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Subjektet kanë të drejtë që brenda pesë ditësh vendimin e KAS-it ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor.

Janë dhjetë Qarqe që janë ankimuar nga PD-ja dhe LSI-ja për zgjedhjet e 25 prillit.

Prej tyre, shqyrtimi ka mbaruar për Qarkun e Gjirokastrës, Beratit, Durrësit, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës.

Deri më tani nuk ka pasur përsëritje të zgjedhjeve apo ndryshim mandatesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore