Shqipëria

Kandidati i PD-së për Rrogozhinën, Bashës: Nuk ke faj ti që humba, PS dhe foltorja ndanin para


“Nuk ke faj ti që humba Rrogozhinën, mbaj përgjegjësi vetë dhe duhet të jetë përgjegjësi edhe e deputetëve që ishin”.

Kjo ka qenë deklarata e kandidatit të Partisë Demokratike për garën në Bashkinë e Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi, duke ju drejtuar kreut Lulzim Basha në mbledhjen e posaçme të Kolegjit të Kryetarëve.

Sipas tij, faji për humbjen nuk është i Bashës, por i foltores dhe i Partisë Socialiste, “të cilët kanë deleguar njerëz për të dhënë para”.

“Pati shitblerje të votës. Kanë para e pushtet. Foltorja e dinte se nuk kishte shanse, por vazhdoi me shantazhe e blerje votash”, tha ai duke iu drejtuar përçarjes brenda PD-së, ku është krijuar një Komision i Përkohshëm Rithemelimi me në krye ish-liderin Sali Berisha.

Duke ju referuar deputetëve të Qarkut të Tiranës, Saraçi shtoi se faji është mbi këta të fundit se në fushatën për zgjedhjet e pjesshme “kanë ardhur duke bërë foto”.

“Kërkoju llogari deputetëve. Nuk vihet në fushatë për foto. Kemi faj unë dhe ata deputetë që ishin. Janë dhënë lekë. Unë kaq kisha mundësi”, tha ndër të tjera ai.

Ai e mbylli duke dhënë dorëheqjen nga kreu i degës së PD-së në Rrogozhinë.

“Ata që të kërkojnë llogari ty, t’i kërkojnë llogari vetes. Jap dorëheqjen dhe përgjegjësinë e mbaj vetë”, e përmbylli ai.

Kujtojmë që, në zgjedhjet e pjesshme, PD-ja pësoi një humbje të thellë përballë socialistëve dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

PS-ja mori pesë bashki – Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Vorë dhe Dibër – pavarësisht pjesëmarrjes të ulët as 1/3 e zgjedhësve në total. Ndërsa Bashkia e Shkodrës u fitua nga kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore