Lajme

Kanada: Liberalët e Trudeau fitojnë zgjedhjet, por pa shumicën e ulëseve


Justin Trudeau dhe familjarët e tij, duke pritur rezultatet e para zgjedhore

Partia Liberale e kryeministrit të Kanadasë Justin Trudeau fitoi zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan të hënën e 20 shtatorit.

Por ai nuk do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të shumicës parlamentare.

Ky ishte dhe pikësynimi kryesor i kryeliberalit para se t’i drejtonte edhe njëherë kanadezët drejt kutive të votimit.

Me rezultatet e përkohshme Liberalët marrin 148 ulëse parlamentare, 103 iu shkojnë Konservatorëve, 28 për Bllokun e Quebec-ut dhe 22 vende për Partinë e Re të Majtë Demokratike.

Nëse balancat e reja parlamentare konfirmohen nga rezultatet përfundimtare, Partia Liberale e Trudeau-s do të duhet të varet nga mbështetja e parlamentarëve të forcave të tjera politike.

Trudeau u shpreh pas sondazheve të para, se ky është një mandat i qartë për të dalë nga pandemia.

Fushata zgjedhore rezultoi shumë më e komplikuar sesa pritej për kryeministrin kanadez, i cili kishte vendosur të kthehej në votime me besimin se do të mblidhte një rritje të konsiderueshme të mbështetjes pas trajtimit të pandemisë COVID-19.

Çështja e politikave emergjente të miratuara në përgjigje të pandemisë dhe veçanërisht vaksinave kundër COVID-19 ishte në qendër të fushatës së tij elektorale.

Opozita ka akuzuar më herët Trudeau-n për thirrjen e një votimi të parakohshëm të pakuptimtë (dy vjet para afatit) për “ambicien e tij personale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore