Sport

Juventus-i ‘zyrtarizon’ ofertën për Donnarumma-n


Il Giornale raporton se Juventus-i po pret të vulosi kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe më pas do të bëjë ofertën zyrtare për Gianluigi Donnarumma-n te Mino Raiola, agjenti i lojtarit.

Donnarumma ka qenë titullar i padiskutueshëm te Milan-i për disa sezone rresht, por duket se aktuali do të jetë i fundit për të me kuqezinjtë. 22-vjeçari ka që nga 2015 që aktivizohet me ekipin e parë të Milan-it dhe në total numëron 247 paraqitje.

Portieri ishte në fushë në ndeshjen e fundit të Milan-it në Serinë A përballë Benevento-s, të fituar me rezultatin 2-0 nga kuqezinjtë. Por, gjithashtu ai do të jetë titullar edhe ndeshjen e ardhshme kundër Juventus-it, një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për fatet e skuadrave për në Ligën e Kampionëve.

Ultrasit e Milan-it kanë dalë haptazi kundër përfshirjes në formacion të Donnarumma-s në sfidën ndaj Juventus-it.

“Ose nënshkruani kontratën ose nuk do luani”, këto ishin fjalët e ultrasve në Milanelo drejtuar gardianit të portës.

Milan-i e ka mbrojtur publikisht portierin, në çdo dalje për mediat të anëtarëve të saj, pavarësisht faktit se ai nuk ka pranuar rinovimin me kushtet e ofruara, 8 milionë euro në sezon dhe një kontratë katërvjeçare.

Në rinovimin e fundit të kontratës me Milan-in, në 2017, Donnarumma i vuri kushte klubit se për të rinovuar dëshironte pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, si dhe afrimin e vëllait të tij si portier të tretë dhe me një pagë rreth 1 milion euro. Kërkesa këto, të cilat u plotësuan nga klubi.

Por, tashmë situata ka ndryshuar dhe Milan-i nuk dëshiron të plotesojë përsëri kërkesat e Donnarumma-s, i cili kërkon 12 milionë euro në sezon.

Sipas Il Giornale oferta zyrtare e Juventus-it do të jetë: kontratë deri në vitin 2026 me 10 milionë euro në sezon për Donnarumma-n, 20 milionë euro për Mino Raiola-n dhe 3 milionë euro për Alfonso Donnarumma-n, babain e portierit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore