Përballje

Juventus do të udhëtojë në Napoli me shumë mungesa


Skuadra e Juventus-it do të zhvillojë këtë të shtunë derbin me Napolin, por në këtë ndeshje të rëndësishme, nuk do të udhëtojnë shumë lojtarë me vlerë të bardhezinjëve.

Lajmin për mungesën e futbollistëve cilësor, e ka konfirmuar vet trajneri i Juventus-it, Massimiliano Allegri, në konferencën për media të mbajtur gjatë ditës së premte.

Juve ka vetëm 17 lojtarë në dispozicion, pasi që futbollistët e tyre nga Amerika e Jugut nuk do të mund të kthehen në kohë, pasi që ishin të angazhuar në ndeshjet ndërkombëtare.

“Përballja e nesërme do të jetë shumë e vështirë. Napoli fitoi në dy ndeshjet e para, kurse ne jo”, theksoi fillimisht Allegri.

“Unë vendosa që mos t’i marrë me vete futbollistët amerikano-jugor, pasi që ata do të kthehen në shtëpi shumë vonë. Cuadrado ishte i vetmi që mund të ishte bashkuar me grupin, por ai nuk u rikthye në Itali, pasi që po vuan nga gripi. Ai është ende në Kolumbi për t’iu nënshtruar disa ekzaminimeve mjekësore”, shtoi trajneri i Juventusit

Pra, kjo do të thotë se për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, Allegri nuk do të ketë në dispozicion: Dybala, Danilo, Alex Sandro, Bentancur dhe Cuadrado.

Gjithashtu, tekniku i Juventusit konfirmoi edhe mungesën e Chiesa-s, i cili la më herët grumbullimin me Italinë, në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror.

“Chiesa kishte një problem muskulor, testet nuk treguan asnjë dëmtim, por unë preferoj ta pushoj atë, pasi që nuk dua ta rrezikojë”, tha mes tjerash Allegri.

Ndeshja mes Napolit dhe Juventusit do të zhvillohet të shtunën në ora 18:00 në stadiumin “Diego Armando Maradona” në Napoli.

Kujtojmë që Juventusi nuk e ka nisur aspak mirë stinorin e ri, pasi që në dy ndeshjet e para kanë barazuar me Udinesen 2:2 dhe kanë humbur në shtëpi përballë Empolit me rezultat 0:1.

Ndërsa Napoli në dy ndeshjet e para ka mundur Venezian 2:0 dhe triumfoi në udhëtim te Genoa 1:2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore