Lajme

Joseph: Kriza në Kosovë mund të zgjidhet përmes katër shteteve të NATO-s


Edward Joseph.

Sipas ish-zëvendëshefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, çelësi i zgjidhjes së çështjes mes Kosovës dhe Serbisë qëndron te katër shtete të BE-së, që janë edhe anëtare të NATO-s e të cilat nuk e njohin Kosovën.

Ai ka theksuar se nëse Spanja, Sllovakia,Rumania dhe Greqia e njohin Kosovën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nuk do jetë më aq i fuqishëm.

“Problemi vjen brenda BE-së. Është fakt se katër shtete të NATO-s, që janë edhe pjesë e BE-së, si Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, nuk e njohin Kosovën dhe po të kishte një pozitë të bashkuar, nëse këto katër shtete do ta njihnin Kosovën, atëherë do të kishte zgjidhje të shpejtë të çështjes”, tha Joseph.

“Ai po e shkel vazhdimisht marrëveshjen që u bë në mars, që është formë e njohjes defacto dhe nuk dëshiron ta zbatoj” ka thënë Joseph në një intervistë për ‘Al Jazeera’.

Ndër të tjera, ka shtuar se situata e së premtes në Veri është serioze, porse nuk është afër të eskalojë.

“Vuçiç e di dhe e dinë të gjithë, se ai nuk mund të dërgojë trupat përtej kufirit, pasi do të ketë konfrontim direkt me NATO-n dhe kjo është gjëja e fundit që do ai”, tha ai.

Joseph i jep të drejtë Kurtit, për moskoordinimin me partnerët ndërkombëtarë në rastin e së premtes në Veri.

“Kryeministri Albin Kurti nuk e respektojë atë nevojë për koordinim me partnerët ndërkombëtarë, ndonëse formalisht e ligjërisht ka të drejtë. Për këtë erdhën kritikat e ashpra nga SHBA-ja”.

Presion ndaj presidentit të Serbisë ai thotë se nuk ka as për mbështetjen që po ia shfaq Rusisë.

“Kosova është pala më e vogël, më e lehtë , më afër SHBA-së dhe më lehtë të kontrollosh e t’i bësh presion. Por, nuk ka presion ndaj Beogradit e Vuçiçit që po e përkrah Rusinë, duke shkuar kundër BE-së e sërish kjo është për shkak të vizioneve brenda BE-së, brenda NATO-s sa i përket Kosovës”.

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale kishte për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore