Shqipëria

Jorgo Goro jep dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Bashkisë Himarë


Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro – i cili ndodhet në arrest – ka dhënë dorëheqjen këtë të mërkurë të 27 marsit.

Në një letër drejtuar Këshillit Bashkiak Himarës, Goro shkruan se ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbente qytetit për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë.

Sipas tij, rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë me Fredi Belerin nuk ishin në favorin e tij, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën e tij.

“S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve”.

Për të, Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje.

“Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të ‘fitimtarit’. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën”.

Ai thotë se akuzat ndaj tij janë për një faj që nuk e ka bërë.

“Akuzohem për shpërdorim detyre në bashkëpunim me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për falsifikim dokumentesh që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral”.

Në përfundim Goro falënderon të gjithë himarjotët dhe thekson se po largohet me kokën lart dhe zemrën plot e me mirënjohje të përulur.

“Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqijat që na gjejnë”.

Jorgo Goro mbetet në burg, vendos GJKKO

Akuzat

Vetë Goro akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer dy herë.

SPAK njoftoi se nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Kjo duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të”.

SPAK thotë se Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë dhe për Stavri Mëhillin.

Ndërkohë që në “Arrest shtëpie” u lanë shtetasit: Jerasimo Bashi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK-së Vlorë, si dhe Vezir Gjikoka jurist pranë Kadastrës së Vlorës.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre.

Mëhilli akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë.

Goro vijon të jetë në detyrë, për shkak se Fredi Beleri nuk është betuar ende, edhe pse fitoi në zgjedhjet e 14 majit.

Beleri ka dorëzuar më parë SPAK në cilësinë e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë një kallëzim penal për abuzimet e konstatuara nga KLSH në vitet 2019 -2021.

Periudhë kjo, kur ky institucion drejtohej nga Jorgo Goro.

Më 17 janar të këtij viti Goro dëshmoi për rreth tre orë për kallëzimin e bërë nga Beleri.

Ky i fundit e akuzon kryetarin në detyrë se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila, sipas Belerit pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Sipas Belerit, “të gjitha veprimet e kundërligjshme janë të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin”

“Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”.

Në kallëzim shkruhet se, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mehilli.

“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar”, thuhet në kallëzim.

Aty sqarohet se Goro e ka nënshkruar këtë planvendosje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore