Euro 2020

Jorginho për Topin e Artë: Nuk jam më i miri, por askush nuk ka fituar më shumë se unë


Mesfushori italian Jorginho ka arritur të fitojë dy trofe të rëndësishëm këtë vit, Euro 2020 me Italinë dhe Ligën e Kampionëve me Chelsea-n. Ai shihet si një nga emrat e mundshëm për të fituar Topin e Artë.

Jorginho ka fituar trofe më të rëndësishëm se kushdo këtë sezon dhe është në garë për Topin e Artë. Lionel Messi është gjithashtu në garë dhe favorit për të marrë të shtatin Top të Artë. Por, sipas Jorginho-s, është e vështirë të gjesh dikë që ka fituar trofe më të rëndësishëm se ai.

“Ne të gjithë kemi ëndrra”, tha mesfushori, kur u pyet për shanset e tij. “Por unë do të jem i sinqertë, kjo varet nga kriteret ku bazohet një vendim”.

“Nëse po flasim për talentin, atëherë unë e di që nuk jam më i miri në botë. Por, nëse flitet për tituj, askush nuk ka fituar më shumë se unë këtë sezon”.

“Si mund ta krahasoja veten me Messi-n, Neymar-in ose Cristiano Ronaldo-n? Ata kanë karakteristika krejtësisht të ndryshme nga mua. Por, e përsëris, kjo varet nga kriteret”.

Jorginho, i lindur në Brazil, në vitin 2017 mori vendimin se kë kombëtare do të përfaqësonte, pasi u kërkua si nga Italia, ashtu dhe nga Brazili, por sipas tij, vendimi ishte i lehtë.

“Nuk mendova dy herë”, tha Jorginho.

“Brazili më donte mua. Të luaja për Brazilin ishte ëndrra ime që  fëmijë, por mendova se Italia kishte nevojë për ndihmë. Dhe kur unë kisha nevojë për ndihmë, Italia hapi dyert e saj për mua dhe më përqafoi”.

“Zemra ime tha ‘Italia ka nevojë për ty’, kështu që unë e mora atë vendim dhe jam shumë i lumtur që e mora”, përfundoi ish-lojtari i Napoli-t dhe Hellas Verona-s në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore