Sport

John Stones – Ruben Dias, dyshja e mbrojtjes në krahasim me ikonat e këtij sporti


“Sulmi i mirë të fiton një ndeshje, kurse mbrojtja e mirë të fiton tituj.” Është kjo thënie e famshme nga i madhi, Sir Alex Ferguson.

Këtë fjali, duket se e ka marrë shumë me seriozitet, duke e vënë në praktikë perfekt, ish-homologu i Ferguson, tash trajner i Manchester City-t, Pep Guardiola.

Manchester City gjithmonë ka pasur një sulm të mirë, por mbrojtja, që shpesh shkaktonte gabime amatoreske, i krijonte probleme Guardiola-s.

Këtë sezon, me transferimin e Ruben Dias nga Benfica dhe “ringjalljen” e John Stones, duket se Guardiola më në fund ka gjetur qetësinë e duhur në mbrojtje.

Jo vetëm stabilitet në mbrotje, ata ofrojnë edhe kualitet në sulm kur skuadra ka nevojë.

John Stones dhe Ruben Dias kanë startuar 16 ndeshje së bashku këtë sezon në Premier League, dhe statistikat e tyre janë të jashtëzakonshme.

Dyshja ka shënuar katër gola në këto ndeshje që kanë startuar bashkë, tre nga Stones dhe një nga Dias.

Por, statistika më impresive është se, dyshja ka pësuar vetëm tre gola në këto 16 ndeshje, një më pak se sa kanë shënuar.

Në 27 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, City është e pamposhtur, ku ka fituar 20 të fundit.

Tandemi Stones – Dias ka ndihmuar shumë në këtë arritje, duke ndihmuar që porta e qytetarëve të jetë e paprekuar për 19 nga këto 27 ndeshje.

Shumë i konsiderojnë si dyshen më të mirë në botë, dhe formën e tyre e krahasojnë me ato të dysheve më të mira në botë, si Maldini – Nesta, Ramos – Varane, Bonucci – Chiellini dhe Pique – Puyol.

City është favorit në katër kompeticionet që luajnë dhe meritë të madhe kanë Anglezi dhe Portugezi, që kanë kaluar çdo pritshmëri.

Siç thoshte Alex Ferguson, mbrojtja të fiton tituj, me të vërtetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore