Lajme

Jep dorëheqje drejtori i televizionit të RTK-së


Radiotelevizioni Publik i Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik të Kosovës, Festim Kabashi ka bërë të ditur se ka paraqitur dorëheqjen nga kjo pozitë.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ tha se arsyeja e këtij vendimi është për shkak të presionit nga Bordi lidhur me një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Një e gjetur e ZKA-së, që s’lidhet aspak me punën time profesionale, (e shndërruar në kauzë fiktive nga elementë të caktuar), ka muaj që po shfrytëzohet nga Bordi si mjet presioni ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për të gjetur zgjidhje për të më larguar nga pozita e drejtorit të Televizionit”, ka shkruar ai.

Sipas tij, një situatë e tillë është duke pamundësuar realizimin e projekteve.

“Duke parë se një situatë e tillë po pamundëson shtyrjen përpara të projekteve, e si rrjedhojë po reflekton në shumë aspekte në funksionimin e RTK-së, ju njoftoj se i kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kërkesën për lirim nga detyra, pasi me asnjë çmim nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet”.

Ndërkaq theksoi se ky vendim edhe pse ishte i vështirë për të ishte i domosdoshëm.

“Sigurisht që, kur e kam marrë detyrën para dy vjetësh, kam qenë i vetëdijshëm për sfida e vështirësi të natyrës së punës, të cilat ia kam dalë t’i tejkaloj falë edhe bashkëpunimit me të gjithë punëtorët e RTK-së”.

“Dihet se kjo detyrë është mandatore, rrjedhimisht është e kuptueshme që kam pritur ta përmbyll mandatin e plotë 3-vjeçar, ashtu siç e kam nisur, me përkushtim, nder e dashuri për punën, për të lënë prapa një RTK më të fortë e profesionale, një RTK në shërbim të publikut!”.

Ndryshe, Kabashi ishte emëruar në këtë pozitë në nëntor të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore