Lajme

“Jemi duke e paguar faturën e inateve mes Qeverisë e mësimdhënësve”


Ilustrim: Nxënësit në shkolla.

Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një reagimi të premten e 20 majit ka vlerësuar se fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Sipas tyre, prindërit dhe nxënësit janë duke paguar faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

“SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi; ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese”.

“Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik”, thuhet në reagim.

Këshilli i Prindërve i Kosovës.

Ndër të tjera, vlerëson se mënyra se si po trajtohet arsimi nga qeverisja në Kosovë është për keqardhje.

“Ne gjykojmë se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet (sidomos) nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë”.

“Sidoqoftë rezultati i këtij procesi, dhe kushdo qoftë “fituesi” në cak, sigurt është që sistemi publik edukativo-arsimor në Kosovë është pandalshëm në degradim”.

Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se greva e paralajmëruar për të premten e 20 majit është duke u mbajtur.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 19 maj, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë njoftuar se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MASHT-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore