Lajme

SBASHK-u: Nuk ka mësim, punëtorët e arsimit në protestë


Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se greva e paralajmëruar për të premten e 20 majit është duke u mbajtur.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftim.

Mirëpo, nga kjo Sindikatë kanë thënë se as ata nuk janë të lumtur për situatën të cilën janë duke e krijuar.

“SBASHK-u thotë se ndien keqardhje për gjendjen e krijuar e cila është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete e kulturë, por edhe në sektorët tjetër”.

Ndërsa, i ka ftuar edhe përfaqësuesit e Këshillave të prindërve të jenë pjesë e protestës.

“Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse shkollat janë pa personelin arsimor, të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre”.

Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës.

Të përjashtuar nga kjo protestë janë vetëm çerdhet.

“Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës në çerdhe”.

Ndryshe, më 19 maj, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë njoftuar se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MASHT-in.

“Ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore dhe me përgjegjësi të kryejnë detyrën e tyre”, është thënë në njoftimin për media.

Qeveria e Kosovës, ka ndarë buxhetin për normat e mbi 2 mijë mësimdhënësve që konsiderohen tepricë, për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, janë punësuar 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe është ndarë buxheti edhe për 300 të tjerë për vitin e ardhshëm.

Gjithashtu, është adresuar edhe një shqetësim i vjetër, duke u ndarë kështu buxheti prej 1 milion eurosh për mësimdhënësit me sëmundje të rënda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore