Lajme

Paralajmërimi për grevë nga SBASHK-u – MASHT-i: Ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes një njoftimi për media kanë njoftuar se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MASHT-in.

“Ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore dhe me përgjegjësi të kryejnë detyrën e tyre”, thuhet në njoftimin për media.

Ky reagim i MASHT-it vjen pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se më 20 maj të premten shkollat në Kosovë, nuk do të punojnë, për shkak se punëtorët arsimor do të marrin pjesë në një protestë madhore për çështjen e pagave në sektorin arsimor.

Por, sipas MASHT-it, “pandemia ka shkaktuar humbje të mëdha përgjatë dy viteve të fundit në arsim dhe ka ndikuar edhe në rezultatet e të nxënit, të cilat duhet të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmirësojmë”.

“Prandaj, diskutimet për greva dhe protesta të mësimdhënësve nuk do të duhej të bëheshin në këtë kohë, kur është edhe fundi i vitit shkollor dhe për më tepër për faktin se në këtë periudhë po punohet me kujdes të shtuar që të kemi një Ligj sa më të mirë të pagave për rreth 80 mijë punëtorët e sektorit publik, që është edhe kërkesë e SBASHK-ut”.

“Pretendimet e krerëve të SBASHK-ut për arsyet e mosmbajtjes së mësimit dhe  mbajtjes së grevës nuk përkojnë as me gjendjen në arsimin parauniversitar, as me nevojat për ta përmirësuar atë. Ato thjesht janë instrumentalizim i një të drejte sublime siç janë e drejta e grevës dhe protestës për punëtorët”.

Sipas njoftimit, MASH-ti do të sigurohet që të kompensohet çdo orë e humbur e mësimit për fëmijët tanë, të cilët tashmë kanë humbur shumë gjatë kohës sfiduese të pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore