Kosova

Javët vendimtare për Kosovën


Ilustrim

Një burim ndërkombëtar që ka një pozicion të lartë në hierarkinë e përpilimit dhe të vendosjes së politikave për Ballkanin i ka thënë Albanian Post se e konsideron si të drejtë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për nevojën e një implementimi të balancuar të Marrëveshjes Bazë e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 Mars.

Burimi në fjalë, i ka thënë AP-së, se gjithashtu pajtohet plotësisht me qëndrimin e institucioneve të Kosovës se themelimi i Asociacionit është maksimumi që Kosova mund të ofrojë në negociata me Serbinë.

Rrjedhimisht, në kushtet aktuale, nëse Kosova e themelon Asociacionin pa asnjë parakusht, Kosova rrezikon që, në ambicien e vetë, Serbia të shkojë përtej Asociacionit. Dhe, duke u nisur nga përvoja e dekadës së shkuar, është fare lehtë e besueshme që bashkësia ndërkombëtare mund të ketë prirjen që të vazhdojë të ushtrojë presion më të madh pikërisht mbi palën konstruktive, pra mbi Kosovën.

Burimi ndërkombëtar ka qartësuar në një bisedë me Albanian Post se Kosova nuk duhet të nis themelimin e Asociacionit pa marr garanci të forta, përtej retorikës dhe simbolikës, që marrëveshja vërtet do të zbatohet në tërësi.

Dhe kjo garanci, sipas tij, vjen nëpërmjet dy shtyllave.

Shtylla e parë, argumenton ai, është përmes një sekuence të balancuar, ku krahas veprimeve të Kosovës përcaktohen qartë edhe veprimet e Serbisë, përkatësisht hapat me anë të cilave njohja de facto nga ana e Serbisë jetësohet.

Shtylla e dytë e kësaj garancie, vazhdon burimi, është akti formal i nënshkrimit të marrëveshjes (që është zgjidhja ideale) ose kodifikimi i zbatimit të marrëveshjes në kapitullin 35-të për Serbinë dhe në dokumentet përkatës të Asocimit Evropian për Kosovën.

“Fundja kjo është një marrëveshje evropiane dhe ka kuptim vetëm brenda kontekstit evropian”, thotë burimi për AP.

Thënë këtë, burimi ndërkombëtar shpreh brengën e tij, por edhe të disa miqve të dëshmuar të Kosovës, për taktikën dhe strategjinë aktuale të Qeverisë së Kosovës.

Ekspertët e sigurisë të vendeve aleate, potencon burimi ndërkombëtar, besojnë që taktikat kryeneçe e të njëanshme të Qeverisë së Kosovës përgjatë vitit 2023, përfshirë edhe vendimi për dinarin, janë presion indirekt mbi Serbinë për të pranuar implementimin e marrëveshjes.

Sipas tyre, nënteksti i veprimeve të njëanshme të institucioneve të Kosovës është “nëse Serbia nuk përkushtohet në implementimin e marrëveshjes atëherë Kosova do të shtrijë e do të vendosë autoritetin dhe sovranitetin e vetë pa pritur leje nga Serbia apo kushdo tjetër”.

Pra, nëse Serbia nuk i do këto situata atëherë zgjidhja është te zbatimi i marrëveshjes. Shikuar kështu, kjo qasja është tërësisht legjitime, por djalli fshihet në detaje, prandaj Kosova duhet të tregohet më e kujdesshme.

“Dhe këtu pajtohem me miqtë tanë amerikanë dhe të tjerë kur ata revoltohen me mungesën e koordinimit dhe konsultimit”, thekson burimi.

Gabimi strategjik i Qeverisë së Kosovës, vazhdon më tej ai, është projektimi i përshtypjes që Kosova nuk ka besim te aleatët e vetë, prandaj edhe i befason me vendimet e veta.

Kjo është një qasje e gabuar, vlerëson burimi i AP-së, prandaj Qeveria duhet të marrë mësim nga pasojat e përplasjes me aleatët.

“Kosova nuk humb asgjë nëse disa vendime kritike koordinohet dhe konsultohet me aleatët. Fundja, ky veprim është në thelbin e kuptimit të fjalës aleat. Dhe rëndësia e aleatëve të duhur është vërtetuar me 29 shtator 2023 kur Kosova ishte pak hapa larg një lufte të hapur me Serbinë. Kujt iu drejtuam për ndihmë? Nga kush pritëm ndihmë? Kush na erdhi në ndihmë? Pikërisht këta aleatë jetik për Kosovën”, potencon ai.

Pse kjo është e rëndësishme pikërisht tani?

Sot Bashkimi Evropian, sipas burimit ndërkombëtar, mund të vendosë edhe formalisht zbatimin e marrëveshjes në kapitullin 35 për Serbinë.

Ky vendim do ta pozicionojë Serbinë para realitetit të pakthyeshëm dhe një vendimi historik për të ardhmen e vetë. Serbia më nuk do të mund të luajë kartën e primadonës që merr çfarë dëshiron nga tryeza evropiane dhe hedh poshtë atë që nuk i pëlqen. Prandaj Vuçiçi është nervoz dhe kërcënon e turfullon.

Por, kjo, sipas tij, vetëm sa e rrit nevojën për një kujdes të shtuar nga ana e Kosovës. Ky është një moment vendimtar, një pikë kthese ku Kosova, nëse merr vendimet e duhura, sado të vështira të mund të duken ato, do të mund të rikthejë besimin dhe përkrahjen e plotë të të gjithë aleatëve. Është një moment vendimtar i ngjashëm me vendimin e vështirë në Rambuje dhe që historia e ka dëshmuar si vendim vizionar dhe të drejtë.

Burimi ndërkombëtar ndër të tjera thotë për AP se është fakt i pamohueshëm që Albin Kurti gëzon përkrahje të madhe dhe një besim të gjerë nga votuesit e tij.

Pranimi që populli i Kosovës i bëri vendimit për Manastirin e Deçanit është tregues që votuesit e tij kanë besim që ai i ka sheshuar gjërat mirë.

E njëjta do të vlejë edhe nesër për Asociacionin. Pavarësisht zhurmës në debate televizive, votuesi i tij do të besojë që ky veprim është kompromisi i duhur në kohën e duhur. Ky detaj është shumë i rëndësishëm dhe duhet t’i shërbejë Albin Kurtit për ta tejkaluar Kurtin opozitar.

Për më tepër, Kurti kryeministër e ka luksin të ketë përballë një opozitë anemike e të sfilitur, mos të them gati inekzistente.

Prandaj, krejt në fund, burimi ndërkombëtar për AP porositë Kurtin, porosi, e cila, sipas tij, nuk është vetëm e imja, por edhe atyre miqve që akoma e mbrojnë Kosovën.

“Albin, tani është koha të tregohemi të zgjuar! Është përgjegjësi e jotja, dhe vetëm e jotja. Kthehu kah Perëndim!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore