Lajme

Jasharaj konfirmon takimin me Osmanin: Pres që dialogu i mirëfilltë të filloj


Lumir Abdixhiku dhe Rrahman Jasharaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, këtë të premte ka zhvilluar një takim me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, me ç’rast ka deklaruar se dialogu mes Sindikatave dhe Qeverisë së Kosovës është imperativ.

“Dialogu është bazë e funksionimit shoqëror demokratik të Kosovës. Kemi nevojë për dialog, kemi nevojë për mirëkuptim në mënyrë që nxënësit tanë të kthehen sa më parë në shkollat tona, por edhe mësimdhënësve tanë në të gjitha nivelet ti kthehet dinjiteti që e meritojnë”, ka thënë ai pas takimit para kamerave.

I pari i LDK-së ka bërë të ditur se partia të cilën ai drejton ka ngritur dyshime për ndërprerjen e pagave për grevistët, pasi sipas tij është e palogjikshme që në muajin gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor të ndërpritet pagesa në fjalë.

“Një gjë e tillë është dënim jo ligjorë. Siç dhe kemi ngritur shqetësimet tona që po bëhet një dënim tërësisht kolektiv i mësimdhënësve në nivel të Kosovës, pa paragjykuar betejën gjyqësore që palët do të bëjnë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj u shpreh se situata në të cilën janë nuk është e mirë, pasi siç tha ai humbësit më të mëdhenj janë nxënësit.

Ai kërkoi nga partitë opozitare që të ju ndihmojnë, që përmes autoritetit të tyre të shkojnë në qeveri për të dialoguar.

“Letra ju kemi dërguar edhe partisë në pushtet dhe opozitës, dhe ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre pozitiv që të vijmë deri te një dialog me qeverinë, dialog i munguar plotësisht. Bashkimi i këtyre sindikatave po bëhet me të vetmin qëllim të mirë që të ulemi e të bisedojmë me qeverinë për të gjet një zgjidhje”, ka thënë ai.

Jasharaj mes tjerash ka bërë të ditur se ka pranuar të takohet me presidenten dhe se është në pritje që zyra e saj të thërras në takim.

“Kam marr një telefonat nga kabineti i saj, dhe më kanë pyetur ‘a jeni që të takoheni me presidenten’ pa na dhënë një datë të saktë. I kemi thënë që po, jemi në pritje kur të na thërrasin. Po urojmë dhe don zoti që dialogu i mirëfilltë të filloj dhe ajo të bëj një hap të mirë”, ka shtuar ai.

Ndryshe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, është deklaruar për grevën e punonjësve të arsimit, duke bërë të ditur se ajo është për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim, por jo në kurriz të nxënësve.

Sipas saj greva duhet të zëvendësohet me dialog, në atë mënyrë që nxënësit të rikthehen në bankat shkollore për të vijuar mësimin e rregullt, i cili do të duhej të fillonte më 1 shtator.

“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”.

Për Presidenten, sindikatat e arsimit parauniversitar kanë të drejtë t’i adresojnë shqetësimet e tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshme që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor.

Ajo ka tërhequr vëmendjen në Projekligjin për paga, i cili sipas saj parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit.

“Arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve”, ka shtuar ajo.

Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave, sipas Osmanit, duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor.

“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve”, ka shtuar ajo.

“Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore