Përballje

Islanda dhe Izraeli luajnë baras, Shqipëria ka gjasa për vendin e parë në grup


Islanda dhe Izraeli, dyja kombëtaret që bëjnë pjesë në grup me Shqipërinë në Ligën e Kombeve, u ndan në barazim 2:2.

Një rezultat që u përshtatet shumë mirë kuqezinjve, që e kanë vetë në dorë përfundimin e edicionit të tretë të Ligën e Kombeve në vendin e parë.

Nëse kombëtarja shqiptare i fiton të dyja ndeshjet e shtatorit, me Izraelin në udhëtim dhe me Islandën në Tiranë, atëherë do ta sigurojë vendin e parë, pasi do të ngjitej në kuotën e shtatë pikëve.

Shqipëria, në fakt, mund të kualifikohet edhe nëse merr katër pikë në sfidat e mbetura. Në këtë rast, fitorja duhet të vijë ndaj Izrarelit (24 shtator), me diferencë më shumë se një gol, pasi (Shqipëria do të avantazhohej nga sfidat e drejtpërdrejta), ndërsa me Islandën (27 shtator) do të mjaftonte një pikë.

Një gjë është e sigurt: për t’u ngjitur në Ligën A, Shqipëria duhet patjetër të triumfojë në Izrael.

Sa i përket takimit mes Islandës dhe Izraelit, Jon Dagur Thorsteinsson kaloi islandezët në epërsi në minutën e nëntë, derisa goli i barazimit u shënua në minutën e 35-të, ku Daniel Leo Gretarsson shënoi autogol.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, derisa në të dytën sërish Islanda kaloi në epërsi.

Thorir Johann Helgason shënoi në minutën e 60-të, para se shtatë minuta më vonë Izraeli ta barazojë rezultatin me golin e realizuar nga Dor Peretz.

Aktualisht grupit i prinë Izraeli me pesë pikë, Islanda ka tri në vendin e dytë, ndërsa Shqipëria është e treta me vetëm një pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore